Grafika: KALLXO.com

Gratë në garë për kryetare të komunave

Nga mbi 160 kandidatë për kryetar të Komunave, partitë politike shqiptare ua kanë besuar kandidaturat vetëm 9 grave për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Listës së kandidaturave të grave i prijnë PDK dhe LDK që kanë garuar me nga tri kandidate për komuna të ndryshme, pasuar me Lëvizjen Vetëvendosje me dy kandidate dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me një kandidate.

Komunat në të cilat synohet që gratë të marrin qeverisjen janë Gjakova, Podujeva, Gjilani, Drenasi, Ferizaji, Deçani dhe Dragashi.

Nga LVV-ja Kaltrina Salihu është kandidate për kryetare të Komunës së Dragashit, ndërsa Mimoza Kusari-Lila do të synojë të riqeverisë me Gjakovën.

Kandidate të PDK-së janë: Arbënesha Kuqi për kryetare të Gjakovës, Floretë Zejnullahu në Podujevë dhe Leonora Morina-Bunjaku për Gjilanin.

Tri kandidate gra do t’i ketë në garë më 17 tetor edhe LDK-ja. Anduena Gllareva është kandidate për të parën e Drenasit, Sibel Halimi në Ferizaj dhe Hyrie Dobrunaj për kryetare të Deçanit.

Ndërsa AAK-ja e ka kandiduar vetëm Arta Ahmeti-Xhylani, e cila synon pozitën e kryetares së Komunës së Drenasit.

Grafika: KALLXO.com

Kush janë kandidatet e LVV-së?

Mimoza Kusari Lila po provon t’i kthehet Komunës edhe njëherë. Ajo kishte qendë kryetare e Gjakovës në mandatin 2013-2017. Ajo nuk arriti të rizgjedhjet kryetare pas humbjes ndaj Ardian Gjinit të AAK-së, kryetarit aktual i komunës.

Kusari-Lila aktualisht është kryetare e Alternativës, por që është pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosje, në pozitën e ushtrues së detyrës së shefes së deputetëve të LVV-së.

Kjo është hera e tretë që Kusari Lila do t’i hyjë garës për kryetare të komunës nën siglën e 3 partive të ndryshme.

Në të kaluarën ajo ka qenë zëvendëskryeministre dhe ministre Tregtisë dhe Industrisë në vitet 2011 – 2013. Me profesion është juriste.

Në Komunën e Dragashit, Lëvizja Vetëvendosje do të garojë bashkërisht me Listën “Guxo”, duke kandiduar për kryetare të Komunës, Kaltrina Salihun.

“Me përgatitjen profesionale dhe përvojën e angazhimin e gjatë në Dragash në kuadër të projekteve zhvillimore dhe në Prishtinë në procese planifikimi e koordinimi, znj. Salihu është e përkushtuar të vazhdojë të kontribuoj për Dragashin si për familjen e saj”, thuhet në një njoftim të Listës “Guxo” – Dragash, në Facebook më 17 gusht.

Kaltrina Salihu ka studiuar për Sociologji, Filozofi dhe Marrëdhënie ndërkombëtare e menaxhim të konflikteve.

Kandidatet e PDK-së për zgjedhjet e 17 tetorit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ia ka besuar një gruaje kandidimin për kryetare të Komunës së Gjilanit. Bëhet fjalë për Leonora Morina – Bunjaku, e cila më herët ka qenë zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Por emri i saj u bë i njohur gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të vitit 2017, kur Leonora Morina – Bunjaku kandidonte për deputete të Kuvendit të Kosovës nga radhët e koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Gjatë fushatës zgjedhore që po zhvillohej gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, një nga furrat e Gjilanit për syfyr kishte dhënë pitalka falas. Mirëpo, brenda qeses, bashkë pitalkë ishte vendosur edhe kartëvizita e Leonora Morina- Bunjakut, që tregonte numrin e saj për ta votuar në zgjedhjet e atij viti.

Ajo nuk kishte arritur të behej deputet.

Morina- Bunjaku me profesion është mësimdhënëse e gjuhës angleze. Ajo ka studiuar Gjuhën angleze në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Floretë Zejnullahu ka marrë besimin e partisë së saj PDK-së që të garojë për kryetare të Komunës së Podujevës.

Zejnullahu aktualisht është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së. Pozitën e ligjvënëses ajo e ka pasur edhe në legjislaturën e kaluar.

Ajo me profesion është farmaciste.

“Në Podujevë na duhet vizion i ri, drejtim i ri, energji të reja. Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetare të Podujevës.  Këtë garë e shoh si një përpjekje të përbashkët me të gjithë qytetarët që dëshirojnë që Podujeva jonë të jetë qytet i të gjithëve. Përparimi vjen vetëm përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime”, ka shkruar mes tjerash ajo në Facebook më 15 gusht.

Arbënesha Kuqi është kandidatja e PDK-së për kryetare të Gjakovës. Ajo me profesion është ekonomiste.

Më 16 gusht, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi përmes Faceook-ut bëri publike kandidaturën e Kuqit.

“Arbënesha Kuqi do ta përcjell mesazhin e ndryshimit dhe gjithëpërfshirjes, me prioritetet e qytetarëve të komunës së Gjakovës, sepse, ajo e do dhe do të punojë për Gjakovën me më shumë projekte, me më shumë vende pune, me më shumë mirëqenie dhe perspektivë për të rinjtë”, kishte shkruar Krasniqi kur kishte njoftuar për kandidimin e saj.

Sipas Krasniqit, e specializuar në menaxhment, Arbënesha Kuqi me ekipin e saj e njohin secilin lokalitet të Gjakovës dhe kanë vizion të qartë për zhvillimin ekonomik të kësaj komune.

Cilat janë kandidatet e LDK-së për kryetare komunash?

LDK-ja në zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të garojë me tri kandidate gra.

Pak muaj më parë, Sibel Halimit iu besuan pozita të rëndësishme në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në kuadër të reformave që mori kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ishte edhe ofrimi i emrave të ri në kryesinë e partisë dhe kështu duke larguar disa prej zyrtarëve më të vjetër të LDK-së.

Kjo reformë, Sibel Halimit që deri tash s’ka qenë pjesë e ndonjë partie politike ia dha pozitën e anëtarës së kryesisë së LDK-së dhe pozitën e zëdhënëses politike të partisë.

Së fundi, Halimi ia ka mësyrë një gare më dinamike, asaj për kryetare të Komunës së Ferizajt.

Halimi me profesion është sociologe dhe poete. Ajo është doktorante në Departamentin e Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës.

Anduena Gllarevës LDK-ja ia ka besuar kandidaturën për të parën e Komunës së  Drenasit

Anduena Gllareva me profesion është sociologe. Ajo wshtw anëtare e LDK-së në Drenas qw 8 vite. H

Hyrie Dobrunaj synon që të udhëheqë me Deçanin pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Kandidaturën e saj e bëri publike dega e LDK-së në këtë komunë. Dobrunaj është juriste, ndonëse nuk e ka ushtruar këtë profesion pasi është marr me biznes.

Ajo ka pasur pozita të ndryshme në Degë dhe nëndegë të LDK-së në Deçan, si kryetare e nëndegës, nënkryetare e degës dhe anëtare e Kryesisë së Degës së partisë në këtë komunë.

AAK vetëm me një kandidate grua për kryetare komune

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ia ka besuar vetëm një grua kandidaturën për kryetare komune në zgjedhjet e 17 tetorit.

Arta Ahmeti-Xhylani është kandidate e AAK-së për kryetare të Komunës së Drenasit.

Ajo me profesion është juriste, ndërsa aktualisht punon në Ministrinë e Zhvillimit  Rajonal si drejtoreshë e Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme.

Më 2017 ajo është zgjedhur gruaja e pare kryetare e degës së AAK-së në Drenas. Po atë vit Ahmeti-Xhylani ka qenë kandidate për kryetare të Drenasit nga radhët e AAK-së.

AAK-ja ka bërë të ditur se në listën  e kandidateve për Kuvendin Komunal të Podujevës, nga 38 gjithsej janë 20 gra kandidate.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) para certifikimit të listave zyrtare të kandidaturave të partive politike për kryetarë dhe asamble komunale, fillimisht do të bëjë procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme