Arkiv - Ngadhnjim Kastrati - Ish Drejtor Gjeneral i RTK-së

Arsyet pse u shkarkua drejtori i RTK-së

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka shkarkuar sonte nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së Ngadhnjim Kastratin.

vendimin e bordit thuhet se Kastrati është shkarkuar nga pozita pasi i njëjti ka dështuar në kryerjen e punëve të tij në mënyrë efektive dhe se ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për RTK-në.

Sipas këtij vendimi, Kastrati thuhet se për tre vite gjatë mandatit të tij ka dështuar të hapë konkurse për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionim siç duhet të RTK-së.

“Drejtori i Përgjithshëm, për gati tri vite të mandatit të tij, ka dështuar të hapë konkurse për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionimin siç duhet të RTK-së”, thuhet në këtë vendim.

Tutje është thënë se një u.d. kryeredaktor i RTK 1 që nga 1 maji i 2019 është duke e ushtruar këtë detyrë ndonëse Ligji e parasheh që një person mund të emërohet si ushtrues i detyrës së kryeredaktorit vetëm për gjashtë muaj.

Mirëpo, sipas vendimit, Kastrati i ka konfirmuar bordit se po i njëjti u.d. kryeredaktor që është emëruar para gati tri viteve po vazhdon të mbajë pozitën e njëjtë.

“Kështu rezulton se Menaxhmenti i tanishëm ka lejuar shkeljen e Ligjit për RTK-në për përzgjedhjen e kryeredaktorit të RTK 1 TV”, është thënë në vendim.

Një arsye tjetër se pse është vendosur që të shkarkohet Kastrati është edhe një shkelje tjetër e ligjit.

Sipas bordit të RTK-së, Kastrati ka dështuar të sigurojë respektimin e Rregullores për Përgjegjësitë Materiale dhe Disiplinore.

“Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së nuk ka marr masat korrigjuese pas konstatimit të shkeljeve të punëtoreve”, thuhet në vendim.

Në këtë vendim janë përmendur dhe disa raste specifike, siç është ai i Milaim Zekës, i cili në një medium (Kanal 10) thuhet se kishte deklaruar se nuk kryen punë për RTK-në mirëpo prapë paguhet nga RTK-ja.

Një rast gati i njëjtë thuhet të jetë edhe ai i Ridvan Berishës, i cili sipas bordit të RTK-së më 10 janar të këtij viti përmes një email-i ka konfirmuar se ka afërsisht një vit që nuk paraqitet në punë por vazhdon të paguhet nga RTK-ja.

Një nga dështimet tjera që ka pasur Kastrati sipas bordit të RTK-së është edhe dështimi në sigurimin e ofrimit e informimit publik dhe shpërndarjes së ofruar nga RTK-ja për komunitetet e tjera, siç kërkohet me Ligj.

Po ashtu, në vendim është përfshirë edhe raporti i Auditimit të vitit 2020 “Pajtueshmëria e vendeve të punës”.

Në këtë vendim thuhet se raporti i auditimit ka evidentuar keqmenaxhim dhe mungesë vullneti për të përmirësuar dhe zgjidhur problemet e RTK-së, keqmenaxhim nga ana e menaxhimit të RTK-së në menaxhimin e kontratave të marketingut të RTK-së dhe keqmenaxhim në kontrata e fatura.

Vendimin e plotë të bordit e gjeni KËTU.