Kontejnere te mbeturinave, ILUSTRIM

Kompania “Pastrimi” kërkon pagesën e borxheve brenda 5 dite ose nis procedurat përmbaruese

Më 25 tetor kompania regjionale ‘Pastrimi’ përmes mesazheve u ka bërë thirrje klientëve të saj që të shlyejnë obligimet ndaj kësaj kompanie brenda 5 ditësh ose në të kundërt do dërgohen tek përmbaruesi privat.

“KRM Pastrimi ju njofton se në afat prej 5 ditësh duhet të kryhen të gjitha obligimet ndaj kompanisë në të kundërtën llogaria ju bllokohet nga përmbaruesi privat” – thuhet në mesazhin e dërguar klientëve.

Zëdhënësja e KRM ‘Pastrimi’, Arbnore Ademi për KALLXO.com e ka konfirmuar se ky mesazh është dërguar nga kjo kompani.

“Po, Kompania “Pastrimi”, Sh.A-Prishtinë ka dërguar mesazhe si thirrje për pagesë dhe kryerje të obligimeve të klientëve që kanë ndaj kompanisë sonë”- u shpreh ajo.

Sipas saj, kompania ‘Pastrimi’ dërgon te përmbaruesi klientët që kanë borxhe dhe ata që kanë marrëveshje për riprogramim të borxhit por nuk i përmbahen asaj,

“Kompania “Pastrimi”, SH.A-Prishtinë dërgon te përmbaruesi klientët të cilët kanë borxhe dhe klientët të cilët kanë bërë marrëveshje për riprogramim të borxhit dhe nuk i përmbahen marrëveshjes për shlyerje të borxhit, pasi që kompania jonë e ka mekanizmin e vetëm për nxjerrjen e mjeteve financiare, dërgimin e lëndëve te përmbaruesi privat” – shtoi më tej Ademi.

Borxhi i klientëve ndaj kompanisë ‘Pastrimi’ është afro 19 milion euro.

Kompania “Pastrimi”, u ka bënë thirrje gjithë klientëve të lajmërohen te zyrat e Kompanisë “Pastrimi”, SH.A-Prishtinë që të kryejnë obligimet e tyre dhe të bëjnë marrëveshje për ri programim të borxhit në mënyrë që lënda e tyre mos të procedohet tek përmbaruesi privat.