Arrestohet nga Policia e Kosovës Alil Demiri, i dënuar për rastin “Monstra” në Maqedoni të Veriut

Alil Demiri, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, është kapur dje nga Policia e Kosovës.

Demiri që ishte me urdhërarrest ndërkombëtar është arrestuar rreth orës 22:30.

Sipas njoftimit të Policisë ai me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Për personin në fjalë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se është i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore Shkup 1, për kryerjen e veprës penale – terrorizëm, lidhur me vrasjen e rëndë të pesëfishtë në liqenin Smillkovës.

Në njoftimin e MPB-së është thënë se sipas informacioneve të marra nga Policia e Kosovës, ai do të paraqitet para gjykatësit kompetent.

Në vitin 2021, Policia e Kosovës kishte arrestuar edhe Afrim Ismailoviqit, një tjetër person i përfshirë në rastin “Monstra”.

Asokohe, autoritetet maqedonase kishin kërkuar ekstradimin e Ismailoviqit në Maqedoni të Veriut, e madje kishin thënë se në Kosovë ndodhet edhe Alil Demiri.

Këta dy persona së bashku me tre të tjerë ishin shpallur fajtorë për vrasjen e pesë maqedonasve më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi.

Agim Ismailoviq, vëllai i Afrim Ismailoviqit, është dënuar me burgim të përjetshëm ndërsa dy të tjerë, Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim.

Tre prej tyre u dënuan për veprën – terrorizëm dhe destabilizim, ndërsa dy të tjerët për ndihmë në kryerjen e veprës. Një person tjetër është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Vendimi i gjykatës ka shkaktuar reagime në sallën e gjykimit, si nga pala mbrojtëse ashtu dhe nga të dënuarit, ndërsa janë mbajtur edhe protesta rrugëve të Shkupit, të cilat përfunduan edhe me dhunë.

Familjarët e të dënuarve, pala mbrojtëse, por edhe partitë politike të opozitës pretendonin se bëhet fjalë për rast të kurdisur dhe se të dënuarit nuk janë autorët e vërtetë të vrasjes së pesë të rinjve maqedonas, por, sipas tyre, struktura tjera, që kishin për qëllim që përmes këtij akti të destabilizonin Maqedoninë e Veriut.