Ilustrim

Arrestohet ish-polici i Serbisë, dyshohet për pjesëmarrje në masakrën në Saradran të Istogut

Një person i nacionalitetit boshnjak është arrestuar nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për krime lufte gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se i dyshuari me inicialet E.B., dyshohet se gjatë viteve 1998-99 ka qenë polic në stacionin policor të fshatit Gjurakoc të Istogut si dhe ka qenë pjesëmarrës në kryerjen e masakrës së Saradranit, ku kanë mbetur të vrarë 18 persona.

“Me këto veprime i pandehuri E.B., dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Krim i Luftës kundër popullatës civile, i sanksionuar me nenin 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së” – ka bërë të ditur Prokuroria.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari E.B. është ndaluar për 48 orë, në pritje të dërgimit te gjyqtari i procedurës paraprake.

Ky është i arrestuari i dytë për krime lufte brenda dy ditëve nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Dje, gjatë ditës në Budapest të Hungarisë është arrestuar personi S.S., i nacionalitetit serb, nën dyshimin për krime lufte. I njëjti dyshohet për vrasjen e 33 personave në Pejë në periudhën kohore prej 26 mars deri më 28 maj 1999.

Prokuroria Speciale konfirmon arrestimin e një serbi, i dyshuar për krime lufte në Kosovë