Prokuroria Speciale konfirmon arrestimin e një serbi, i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar lajmin për arrestimin e serbit me iniciale S.S. nën dyshimin për krime lufte, të kryera në Kosovë.

S.S. është arrestuar sot në Budapest të Hungarisë.

I arrestuari dyshohet për vrasjen e 33 personave në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999.

“Prokuroria Speciale njofton se ndaj S.S., është nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit për shkak që i njëjti dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me  krimet e luftës, ashtu që i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë vrarë tridhjetetre (33) persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.