Foto: KALLXO.com Ilustrim

Arrestohet i kërkuari për mashtrim, dyshohet se kërkoi para nga qytetarët për shërim

36-vjeçari me inicialet M.K., është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me njësinë “Fast Ileku”.

I njëjti po dyshohet se mashtroi qytetarë në atë mënyrë që përmes disa mjeteve të informimit, portaleve e rrjeteve sociale kishte kërkuar mjete financiare për shërim.

36 vjeçari sipas policisë, kishte pranuar mjete financiare në llogarinë e tij bankare ndërsa nga viti i kaluar policia ishte duke hetuar rastin dhe ishte vënë në kërkim të të njëjtit.

Kjo pasi që hetimet rezultuan se i dyshuari kërkesën për ndihmë financiare e ka bërë në mënyrë të rrejshme por dhe i ka lajmëruar qytetarët për një gjë të tillë.

Ai ishte shpallur në kërkim që nga viti i kaluar ndërsa është arrestuar në një lokal në Prishtinë.

Gjithashtu policia ka njoftuar se 36 vjeçari sipas të dhënave rezultoi se ka dy urdhër arreste aktive dhe në koordinim me prokurorinë është dërguar në vuajtje të dënimit.