Arrestohet i dyshuari i dytë për rastin e shpërthimit në tregun e kafshëve në Prizren

Policia e Kosovës ka arrestuar sot të dyshuarin e dytë për rastin e shpërthimit në tregun e kafshëve në Prizren ku u lënduan dhjetë persona.

I njëjti ka qenë në kërkim nga autoritetet.

Sipas njoftimit, ndaj të dyshuarit nga fshati i Uglar i Gjilanit, është lëshuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Me datën 27.11.2023 hetues policor nga sektori rajonale i hetimeve Prizren përmes rrugëve operacionale dhe falë bashkëpunimit me media dhe qytetarë ka arritur që të lokalizoj dhe arrestoj të dyshuarin XHEVDET Shaban SELIMI i lindur me 23.03.1986 fshati Uglar/ Gjilan ndaj të cilit prokurori i shtetit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë”- thuhet në njoftim.

Më datë 22 nëntor 2023, rreth orës 04:50, Policia ka marrë informacione për një ngjarje ku disa persona janë lënduar nga një mjet shpërthyes (lloji i panjohur aktualisht) te tregu i kafshëve në Prizren.

Sipas policisë, fillimisht u dhanë informacione për tre persona të dyshuar, por me zhvillimin e hetimeve, janë identifikuar dy persona si kryes të veprës penale.

Një ditë më pas, më 23 nëntor, Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Remzi Murtezin, njëri nga të dyshuarit në lidhje me shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren, ku mbetën të lënduar 10 persona.

Një muaj paraburgim të dyshuarit për rastin e shpërthimit në tregun e kafshëve në Prizren

Sipas Prokurorisë, rreth orës 4:50, në Prizren, në lagjen “Arbana”, saktësisht në tregun e kafshëve, i cili gjendet në rrugën “Tranziti i vjetër”, të dyshuarit Remzi Murtezi dhe Xhevdet Selimi, me dashje dhe të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe për pasojën, në bashkpunim dhe koordinim të veprimeve mes vete, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarit A.S., B.S., B.P., N.B., M.B., F.S., B.V., A.M., F.S. dhe B.S. pasi që fillimisht fjalosen, për një moment të dyshuarit aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin), i cili kishte fuqinë e përhapjes së pakontrolluar.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, 10 persona pësojnë lëndime. Prej tyre M.B., F.S., B.V. dhe B.S. janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK -Prishtinë, ndërsa të dëmtuarit A.S., B.P., N.B., F.S., B.S., A.M., pas pranimit të ndihmës mjekësore janë liruar për në shtëpi.

Me këtë i pandehuri kishte për të kryer veprën penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.