Arrestohen dy të mitura për kanosje dhe mbajtje të armëve

Dy vajza të mitura janë arrestuar nën dyshimin se brenda shkollës kanë kanosur një person tjetër.

Për të njëjtat është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 25.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 24.02.2022.

Sipas njoftimit të dyshuarat fillimisht e kanë dërguar viktimën mbrapa shkollës dhe e kanë kërcënuar me armë (thikë).

“Në javën e dytë të muajit janar 2022, në ambientet e një shkolle të mesme në Prizren, në bashkëkryerje seriozisht e kanosin personin tjetër me vepra apo gjeste se do t’i shkaktojnë ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëparshme mes viktimës dhe të miturave”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndërsa më 25 janar në orët e mesditës, në ambientet e shkollës njërës nga të miturave i është gjetur një një brisk, me teh prej 7 cm, e cila edhe i është sekuestruar nga ana e policisë.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjyqtarja ka marrë parasysh edhe peshën e veprës penale dhe ambientin në të cilin janë kryer këto vepra penale respektivisht në hapësirat e oborrit të shkollës së mesme, gjithashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe forma e kryerjes së këtyre veprave penale”, bëhet e ditur në njoftim.