Ilustrim

Arrestohen dy të dyshuarit që po kërkoheshin nga policia për tentim vjedhje në një market në Prishtinë

Dy 23-vjeçarë, me inicialet R.J., dhe L.S., të cilët ishin në kërkim të policisë nën dyshimin për kryerje të veprës penale tentim vjedhje në një market në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë janë arrestuar gjatë ditës së sotme.

Policia ka njoftuar se pas publikimit të fotografive të të dyshuarve dhe ndihmës së qytetarëve sot është bërë arrestimi i të dyshuarve rreth orës 10:30.

“Aktualisht hetuesit policor, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me prokurorinë përkatëse, lidhur me së paku tri raste (2 vjedhje dhe një tentim vjedhje), ku  dyshohet të jenë të përfshirë personat e  arrestuar”- thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë ditës së djeshme policia, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkoi ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave që iu publikuan fotografitë pasi që dyshoheshin se kishin kryer tentim vjedhje.

Vepra penale dyshohet se ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar.