Gastronomët ultimatum Qeverisë: Të ndryshohet vendimi për masat antiCOVID, ose ne nuk i respektojmë më

Shoqata e Gastronomëve bashkë me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit kanë mbajtur sot një protestë për të kundërshtuar masat e vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Hysen Sogojeva kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, para protestuesve që të mbledhur para objektit të Qeverise, protestonin duke mbajtur disa pankarta në duar, është shprehur se tash e 20 muaj kanë ngritur zërin për kërkesat që kanë, por ato nuk janë dëgjuar dhe si rrjedhojë nuk ka asnjë ndryshim.

“Ne kërkojmë që të bëhet zgjatja e orarit të punës, subvencionimi i pagave, të zgjatet pagesa për TVSh-në. Prej 17 mijë bizneseve hoteliere, me këto masa në të ardhmen mund të mos funksionojnë gjysma e tyre”, ka thënë ai.

Arian Vranica sekretar i Shoqatës së Gastronomëve i ka dhënë ultimatum Qeverisë që deri në mbledhjen e radhës të ndryshohet vendimi për masat e aplikuara ose do të detyrohen të punojnë duke anashkaluar restriksionet qeveritare.

“Qe 3 muaj jemi të vaksinuar. Na keni kërcënuar ekonominë. Nuk ka vend në botë që s’ka organizuar festivale, nuk ka vend në botë që mbyllin biznesin e të njëjtin biznes e shfrytëzojnë për tubime elektorale. Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave me 14 korrik ka premtuar 5 milionë mbështetje por në praktikë nuk ka kurrfarë mbështetje. Përderisa nuk ka përkrahje ne do të hapim lokalet” , ka thënë Vranica.

Petrit Kllokoqi kryetari i Shoqatës së Gastronomëve ka thënë se “Ne sot ishte dashtë me qenë duke pritur mërgimtarët e jo duke protestuar. Qe 3 muaj nuk kemi përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë e as ajo e Financave. Protesta e radhës do të jetë ndryshe”, ka thënë ai.

Afrim Muqiqi, këngëtarë ka thënë se nuk janë duke kërkuar masa të shfrenuara.

“Kërkojmë që ditën e premte në mbledhjen e qeverisë të futen në rend dite kërkesat tona. Mos të na detyrojnë që ta tridhjetëfshojmë ketë numër të protestuesve në organizimin e radhës”, është shprehur Muqiqi.