Teatri Kombëtar/ FOTO-Urim Krasniqi

Teatri Kombëtare shfaq nesër pa publik premierën e shfaqjes ‘La Rrem’

Shfaqja që i kushtohet Muharrem Qenës, me tekst të Arian Krasniqit dhe regji të Kushtrim Koliqi është planifikuar të jepet nesër premierë në ora 20:00. Por, për shkak të masave të reja anti-COVID-19 të vëna dy ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK) ka vendosur ta shtyjë pas 18 prillit dhënien e shfaqjes për publikun.

“Nesër është premiera e mbyllur, pa publik. Kemi menduar që pas 18 prillit ta japim, duke shpresuar se do të ketë lirim të masave me idenë që të kemi mundësi të kemi në sallë më shumë publik”, ka thënë për Kallxo.com, drejtori i TKK-së Naser Shtarolli.

Nga dita e djeshme kanë hyrë në fuqi kufizimet e reja për parandalimin e COVID-19. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë së Coronavirusit, institucionet kulturore, mund të punojnë deri në ora 21:00, duke shfrytëzuar vetëm 20% të hapësirës së tyre.

“Institucionet vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonisë, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë nga ora 5:00 deri në orën 21:00 duke shfrytëzuar deri në 20% të hapësirës/ sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime)”, thuhet në pikën 34, të vendimin e Qeverisë.