Arrestimi në Gjilan i të shumëkërkuarit nga Mali i Zi, i zbulohet aplikacioni me të cilin u planifikua vrasja

Gjykata e Gjilanit ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditësh për Sërgjan Jurisheviqin, bosi i dyshuar i një klani kriminal në Mal të Zi, i cili dje është arrestuar në Gjilan dhe policëve u kishte prezantuar një letërnjoftim të Kosovës, me emër e mbiemër tjetër.

Ndaj Jurisheviqit ka urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Mali i Zi, si i dyshuar për vrasje të rëndë.

Sërgjan Jurisheviq dyshohet së në korrik të vitit 2020 në Kotorr të Malit të Zi, duke vepruar si anëtar i organizatës kriminale, duke përdorur telefon të koduar dhe aplikacionin “SKY ECC” bashkë me dy të akuzuar të tjerë, kishin planifikuar të privojnë nga jeta viktimën N.S.

Në gusht të vitit 2020 i pandehuri bashkë me dy të akuzuarit e tjerë dyshohet se e kishin ndaluar viktimën N.S., i cili ishte duke drejtuar një motoçikletë dhe e kishin goditur me shufër metalike në kokë. Më pas e kishin lidhur me litar dhe e kishin futur në një makinë dhe e kishin torturuar.

“E gjithë kjo për të marrë planet e organizatës kriminale kundërshtare dhe për t’u qasur në telefonin e koduar të viktimës, kështu që në mbrëmjen e datës 01.08.2020 dhe datës 02.08.2020, e privojnë nga jeta viktimën N. S., e më pas kthehen në Kotorr dhe e largojnë motoçikletën nga vendi i ngjarjes në një vend të panjohur me qëllim të fshehjes së gjurmëve dhe veprës penale të kryer”- thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Gjykata ka njoftuar se i pandehuri është duke u kërkuar edhe nga INTERPOL-i në bazë të një urdhër arresti të datës 31 maj 2021.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase i njëjti ka shtetësinë e Republikës së Malit të Zi dhe për më tepër gjatë ndalimit nga zyrtarët policor i njëjti është paraqitur me një emër tjetër, po ashtu edhe gjatë seancës dëgjimore”- vazhdon njoftimi i Gjykatës.

Gjykata e Gjilanit ka bërë të ditur se pas këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankesës.