Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Arrestimet në Telekom, dyshime për keqpërdorimin e mbi 327 mijë eurove

Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe Policia e Kosovës kanë dhënë detaje nga arrestimi i katër personave nën dyshimin e disa veprave penale.

Sipas njoftimit, hetimi nga Krimet Ekonomike janë duke u zhvilluar që disa muaj, ndërsa katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Sipas Prokurorisë së shtetit, të arrestuarit janë T.M., A.O., K.M., dhe D.Ć.

“Personat me inicialet T.M., dhe A.O., dyshohen se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së, “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 418 të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa, personat me inicialet K.M., dhe D. Ć., dyshohen se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 të KPRK-së dhe “Mashtrimi”, nga neni 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka dhënë detaje edhe lidhur me kontratën me të cilën dyshohet se u bënë keqpërdorimet.

“Dy nga personat e arrestuar dyshohet se veprat i kanë kryer në cilësi të personave zyrtar në Telekomin e Kosovës, të cilët dyshohen se gjatë zbatimit të kontratës të lidhur në mes Telekomit të Kosovës dhe operatorit ekonomik kontrata në vlerën 327,514 €, kanë keqpërdorur për përfitime personale këtë kontratë, duke i shkaktuar dëm Telekomit të Kosovës në shumën prej treqind e njëzet e shtatë mijë e pesëqind e katërmbëdhjetë (327,514 ) euro”, ka shpjeguar Prokuroria.

Ndërsa, dy personat e tjerë, dyshohet se kanë përpiluar dhe vulosur dokumentacion të falsifikuar me përmbajtjeje të rreme, në emër të personave të tjerë.

Arrestohen dy ish-drejtorë në Telekomin e Kosovës

www.kallxo.com