Armend Zemaj: Nga sot trefishohen kapacitetet testuese për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se nga sot do të trefishohen kapacitetet testuese në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Ai këtë e bëri të ditur gjatë dorëzim – pranimit të 15 respiratorëve për institucionet shëndetësore në Kosovë, donacion nga Gjermania.

“Nga sot do të trefishohen kapacitetet testuese edhe kjo ndihmë nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, këtu po pranojmë 15 respiratorë të vlefshëm i cili i bashkëngjitet kontingjentit dhe ndihmave dhe pjesa tjetër e angazhimit tonë do të jetë ngritja e kapaciteteve humane”, njoftoi Zemaj.

Ministri edhe më parë pati premtuar se do të rritet numri i testimeve për COVID-19, brenda një ditë ai ka thënë se do të bëhen  deri në 3 mijë e 500 testime, por një premtim i tillë nuk është mbajtur deri më tani.

Numri total i rasteve pozitive është 15.938 raste nga 71.865 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 638 raste të vdekjes.

MSh synon deri në 3 mijë e 500 testime në ditë