Arkitektja Goxha: Objekteve në Kosovë duhet t’u bëhet analizë sizmike e pastaj të legalizohen

Venera Goxha, e cila është arkitekte me profesion, ka rrëfyer për KALLXO.com përvojën e saj në Turqi gjatë kohës kur ky vend ishte goditur nga një tërmet shkatërrimtar në krahinën e Marmarasë.

Gjithashtu, ajo ka folur edhe për cilësinë e objekteve në Kosovë dhe sigurinë e tyre në rast të ndonjë tërmeti.

Tërmeti, të cilin e ka përjetuar Goxha gjatë kohë së studimeve të saj, ka qenë me magnitudë 7.4, i cili mori pothuajse 20,000 jetë njerëzish, la  6 mijë të zhdukur nën gërmadha ndërsa më shumë se gjysmë milion njerëz mbetën pa shtëpitë e tyre.

“Në vendin ku ka pasur tërmet në Turqi, është pjesë bregdetare, në krahinën e Marmarasë. Turqia gjendet në mes të dy pllakave tektonike, një të Euro- Azisë dhe Afrikane dhe ato kur çahen dhe kanë thellësi në det atëherë paraqitet edhe rreziku i cunamit. Ky cunam është paraqitur pas dy ose tre muajve në Stamboll dhe ka marrë rreth 900 jetë njerëzish”, ka treguar ajo.

Goxha ka thënë po ashtu se tërmeti në Shqipëri duhet të japë një mësim për ndërtesat që janë bërë pas luftës dhe mënyrën si janë bërë ato ndërtesa.

“Ky tërmet na jep frikë të brendshme edhe pse ne nuk jemi në pjesën aktive sizmike sikur qysh janë Maqedonia, Mali i Zi, Turqia Perëndimore dhe Shqipëria, por që jemi në fqinjësi të parë me këto shtete dhe epiqendrat mund të jenë në këto shtet dhe pastaj valët përcillen deri te ne”, ka vazhduar Goxha.

Ajo ka thënë se projektimi, mbikëqyrja, ndërtimi dhe realizimi përfundimtar janë hallka që duhet të menaxhohen mirë për të mos ardhur deri te një tragjedi.

Po ashtu ka deklaruar se në Kosovë nuk respektohen rregullat e ndërtimit, nuk respektohet kodi i ndërtimit, nuk respektohen standardet bazë të ndërtimit, e shumë kushte të tjera elementare, të cilat duhet t’i ketë një ndërtesë që t’i bëj ballë ndonjë tërmeti të fuqishëm.

“Ajo që duhet të bëhet për me i parapri të keqes, në të vërtetë tërmeti nuk e paralajmëron ardhjen, edhe lëkundjet e tërmetit nuk janë lëkundje të njëtrajtshme, nuk janë të rregullta janë kaotike, kemi lëvizje vertikale, lëvizje horizontale ose i kemi ato lëkundjet kaotike, domethënë varet prej epiqendrës edhe rezultatet po i shohim se çfarë mundemi me i pas”, ka thënë Goxha.

Ajo ka shtuar se objekteve duhet t’u bëhet analizë sizmike për të parë qëndrueshmërinë ndaj lëkundjeve.

Ndërsa për objektet pa leje në Kosovë ka thënë se disa prej tyre janë të ndërtuara nga punëtorë të ndërtimtarisë dhe se nuk kanë arkitekt fare.

“Duhet një kontroll i rreptë, shumë i rreptë i lejeve, i dhënies së lejeve, i mbikëqyrjes së lejeve, i mbikëqyrjes së punëve deri te përfundimi, një kontroll i rreptë pa kurrfarë lëshimi, në këtë rast i bie që ne duhet me punu pa hile, meqenëse është fjala për një ndërtim”, ka vazhduar më tej ajo.

Në fund Goxha ka shpjeguar procedurat që i kalon një objekt për legalizim deri kur e merr në pronësi pronari, i cili e ka blerë atë.

“Në nivel të Kosovës sipas listës shtetërore të ndërtimeve joligjore janë 350 mijë objekte pa leje, objekte joligjore, të cilat objekte i nënshtrohen procedurave të legalizimit, në momentin që i nënshtrohen procedurave të legalizimit konsiderohet që e dorëzon dokumentacionin administrativ, nëse aprovohet konsiderohet që i plotëson kushtet për me iu dhanë një leje të ndërtimit edhe në fund leje të përdorimit të objektit që merret pas pranimit teknik, pas lejes së fundit pronari mundet me regjistru në emër të tij”, ka treguar ajo.