Arben Vitia: Sot vendoset fati i kryeqytetit

Kandidati nga radhët e LVV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka ushtruar të drejtën e votës në shkollën ‘Ali Sokoli’ në Prishtinë.

Ai para mediave tha se sot vendoset fati i kryeqytetit dhe u bëri thirrje qytetarëve që masivisht të dalin në votime të japin shembull të forcimit të demokracisë.

“Dita e zgjedhjeve është një ditë thelbësore për demokracinë, sot vendoset fati i kryeqytetit tonë, prandaj i ftoj të gjithë që masivisht të dalin në këto zgjedhje, ta forcojmë demokracinë e të japim shembull, ashtu si kemi dhënë deri tani”, ka deklaruar Vitia.

Kandidati i LVV-së, Arben Vitia, po përballet në balotazh me kandidatin e LDK-së, Përparim Rama për të parin e kryeqytetit.

Kandidatët e 21 komunave po përballen në balotazh pasi në rrethin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor, nuk arritën të marrin përqindjen që do u siguronte fitoren.