Arben Vitia: Rastet me COVID-19, gjithnjë e më të rënda

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovës, Arben Vitia, ka bërë të ditur se rastet me koronavirus që po paraqiten në spitale, janë gjithnjë e më të rënda.

Përmes një postimi në rrjetin social Faebook, Vitia bën thirrje për respektim të masave kundër përhapjes së koronavirusit.

“Rastet që po vijnë në spital janë gjithnjë e më të rënda. Ndaj duhet të mendojmë parandalimin me çdo kusht. Me çdo kusht. Masat, edhe pse duken se janë strikte ato kanë vetëm një qëllim: mos ta lejojmë shndërrimin e njeriut në shifër. Ne jemi një vend e një Republikë. Këtu njerëzit janë të gjithë tanët”, thotë ministri Vitia.

Gjatë ditës së enjte në Kosovë u raportua për dy vdekje si pasojë e sëmundjes COVID-19.

Deri më tani Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 11 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, njoftoi të enjten se në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 63 pacientë të prekur nga koronavirusi. /REL