Ambasadori O’Connell demanton ministrinë e Dhurata Hoxhës

Sot, në një takim përshëndetës, Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell e priti Ministrja në largim, Dhuarta Hoxha.

Siç njoftoi ministria, në këtë takim ishte folur për disa tema ndërmjet ministres Hoxha dhe Ambasadorit O’Connell.

“Ambasadori O’Connell, vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Por, pas kësaj deklarate ka reaguar Ambasadori O’Connell. Ai tha se nuk ka biseduar për temat që ka njoftuar ministria e Integrimeve Evropiane.

“Një gjë që nuk do të më mungojë në Kosovë është praktika joprofesionale dhe jomiqësore e politikanëve të Kosovës për të m’i mveshur deklaratat”, ka thënë ambasadori në reagimin e tij.

“Në fakt, unë nuk ofrova ndonjë mendim për zbatimin e MSA-së në Kosovë. As nuk e diskutuam. Ne nuk diskutuam për të drejtat e njeriut. Ne diskutuam për rregullin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë thashë që Kosova ishte në një pikë të rëndësishme, dhe se duhej të ndërmarrë hapa për të pastruar politikën nga kriminaliteti. Unë nuk ofroi asnjë vlerësim për punën e institucioneve”, ka shkruar O’Connell në “Facebook”.

Madje, ai ka thënë se ka ndodhur edhe në të kaluar që institucionet të deklarohen për gjëra të cilat, në fakt, nuk ka pasur deklarime.

“Kjo ka ndodhur disa herë nga institucione të ndryshme dhe parti politike. Tani e tutje, Ambasada ime do të korrigjojë çdo deklaratë të lëshuar pa pëlqimin tonë”, tha ai.

Në fund, ai tha se ambasada e Mbretërisë së bashkuar nuk ka preferenca politike në Kosovë.

“Për të qenë absolutisht e qartë: Mbretëria e Bashkuar nuk mbështet ose kundërshton asnjë parti politike në Kosovë. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë dhe detyrë të marrin përgjegjësinë për votën e tyre dhe pasojat e tij”, tha në fund ai.