Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës/ Facebook

LDK kërkon dorëheqjen e Besnik Bislimit pas demantimit që i bëri zyrtari i Këshillit të Evropës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pasi zëvendëssekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, e ka demantuar në lidhje me diskutimet mes tyre për anëtarësimin e Kosovës në KE.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një konferencë për media tha se ky është një skandal i madh diplomatik i cili dëmton rëndë procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Bislimi demantohet rëndë nga zëvendëssekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, i cili thotë që ajo çfarë kam biseduar me z. Bislimi nuk është e saktë nga ajo çfarë ai ka paraqitur. Ky është një skandal i madh diplomatik që i kushton rëndë vendit tonë. Është një përfaqësim jodinjitoz nga z. Bislimi i cili dëmton rëndë procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, institucion ky që kishim gjasa të mëdha anëtarësimi pas suspendimit të Rusisë”, ka thënë zëdhënësja e LDK-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon dorëheqje të menjëhershme të z. Bisilmi ngase i njëjti nuk është i denjë për ta përfaqësuar vendin në politikën ndërkombëtare”, ka shtuar Halimi.

Bjorn Berge, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, e ka demantuar zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, në lidhje me diskutimet mes tyre për anëtarësimin e Kosovës në KE.

Bislimi kishte deklaruar se Berge e ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Kënaqësi të takoj Bjorn Berge gjatë qëndrimit tim në Strasburg, i cili mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Diskutimi ynë u fokusua edhe në theksimin e progresit të vlerësuar, reformave dhe harmonizimit me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme”, ka shkruar Bislimi.

Mirëpo, Berge në Twitter ka shpërndarë deklarimin e Bislimit duke thënë se përshkrimi nuk është i saktë.

Zyrtari i Këshillit të Evropës “e qet në rrenë” zëvendëskryeministrin Bislimi