Ambasadori Hovenier reagon pas shkrimeve për shënjestrimin e policëve të rinj serb në veri

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka reaguar pas raportimeve nga media të ndryshme përfshirë edhe nga KALLXO.com në lidhje me shënjestrimin e qytetarëve serb të veriut të Kosovës të cilët janë diplomuar së fundmi në Policinë e Kosovës dhe kanë nisur punën në stacionet policore, Mitrovicë veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Ambasadori Hovenier reagoi duke shpërndarë një postim në Twitter të kreut të EULEX-it Giovanni Pietro Barbano.

“Ndaj plotësisht këto shqetësime. Kërcënimet dhe frikësimet ndaj individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Siç e kam thënë edhe më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet të pasqyroj diversitetin e Kosovës” – ka shkruar Hovenier në Twitter.

Giovanni Pietro Barbano, shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, kanë reaguar pas raportimeve se janë kërcënuar serbët e punësuar në Policinë e Kosovës.

Çdo lloj frikësimi, sipas shefit të EULEX-it, ndaj policëve të sapopunësuar në policinë kosovare, është i papranueshëm.

“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapo-dislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet jo-shumicë” – ka shkruar Giovanni Pietro Barbano në Twitter.

Me reagimin e shefit të EULEX-it është pajtuar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

“Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet boshnjak, rom, serb dhe turk,  meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar” – ka thënë ambasadori gjerman.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së djeshme se si në faqe të ndryshme në rrjetin social Telegram, faqe të ndryshme serbe kishin shënjestruar qytetarët serb nga veriu i Kosovës të cilët së fundmi diplomuan si policë të rinj dhe kanë nisur punën e tyre në institucionin e sigurisë – Policinë e Kosovës.

“Kuptohet që lista nuk është e plotë, e a do ta publikojmë që i tërë opinioni ta kuptojë kush janë të tjerët do të merremi vesh me popullin nga Kosova…”-  është një pjesë e cila është shkruar nga një faqe serbe në Telegram e që i referohet një liste prej pesë personave me emra dhe fotografi që së fundmi kanë diplomuar në Policinë e Kosovës dhe kanë nisur punën në këtë institucion.

45 policë të komunitetit serb kanë nisur punën tashmë në stacionet policore në katër komunat me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Këta zyrtarë të rinj policorë u ishin nënshtruar procedurave të konkursit e Akademisë Policore për të marrë këto pozita, të cilat do t’i ushtrojnë tash e tutje.

Në rrjete sociale janë duke qarkulluar fotografi e emra të policëve të rinj nga komuniteti serb që janë bërë pjesë e institucionit kyç të sigurisë, Policisë së Kosovës.

Në rrjetin social Telegram ka nisur shënjestrimi ndaj disa prej pjesëtarëve të rinj të Policisë, duke thënë se ky veprim nga ana tyre nuk është i mirë pasi nga ky institucion po arrestohen qytetarët serbë.

“Deri sa vëllezërit tanë i kanë arrestuar, rrëmbyer, dhe rrahur në kazamatet shqiptarski, këta kanë qenë në trajnim në jugun e Kosovës… në Vushtrri” – thuhet tutje në njoftimin e shpërndarë në Telegram, duke iu referuar arrestimeve të pesë të dyshuarve për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Faqet serbe i vendosin si shënjestër qytetarët e komunitetit serb që diplomuan dhe nisën punën në Policinë e Kosovës