Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ambasadori gjerman falënderon Kosovën për strehim të 5 gazetarëve nga Afganistani

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka falënderuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës për strehim të pesë gazetarëve nga Afganistani.

Rohde shkroi se për këtë veprim pati përkrahje të Gjermanisë dhe të organizatave si Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Qendra Europiane për Shtyp.

“E falënderojmë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës për ofrim të strehimit në Kosovë për pesë gazetarë nga Afganistani me përkrahje të Gjermanisë në bashkëpunim me organizatat partnere AGK dhe ECPMF” – shkroi Rohde.

Ambasadori tutje potencoi se ky veprim paraqet kontribut për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e shtypit.

“Mbështetje kuptimplote për mbrojtjen e lirisë së shtypit, kontribut i prekshëm për sigurinë e gazetarëve dhe përkushtim i qartë ndaj vlerave tona të përbashkëta. Mirënjohës për këtë bashkëpunim të rëndësishëm në kohë sfiduese” – shtoi ai.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marrë vendim për strehim të pesë gazetarëve afganë, të cilët rrezikohen nga talibanët.

Kosova gjatë këtij viti u ka ofruar strehim edhe disa gazetarëve nga Ukraina.