Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, Foto: KALLXO.com

Ambasadori amerikan: Ne e dimë se ku është kufiri

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier ka mbajtur një takim me liderë të Listës Serbe por edhe me kryetarët e katër komunave në veri.

Hovenier ka treguar se më pas kanë pasur një drekë pune ku kanë biseduar për shumë çështje.

“Jam takuar me liderë të Listës Serbe, përfshirë këtu edhe kryetarët e katër komunave në veri dhe ne shëtitëm nëpër Mitrovicë. Më pas patëm një drekë pune ku folëm për shumë çështje. Biseda do të mbetet mes nesh jo pse janë sekrete ato çka u folën, nuk janë por nuk ishte ndonjë surpirzë e madhe”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka thënë se kishte ndarë me ta përkushtimin e ShBA-së për disa parime e që kanë të bëjnë mbi pikëpamjet e shtetit amerikan për Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara e kanë pikëpamjen shumë të qartë që nga viti 2008 që Kosova është shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe SHBA-ja është e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Ne e dimë se ku është kufiri dhe kufiri është në veri të vendit prej ku jam ulur tani, derisa unë jam ulur në Mitrovicë”, është shprehur ambasadori amerikan.

Tutje ai ka shtuar se SHBA janë të përkushtuara njëlloj që të gjithë qytetarët e Kosovës të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe privilegje.