Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, Foto: KALLXO.com

Ambasadori amerikan falënderon Kosovën për mbështetjen ndaj Ukrainës

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, e ka falënderuar Kosovën për përkrahjen ndaj Ukrainës, pas pushtimit rus që po ndodhë atje.

Ambasadori ka shtuar se sulmi në Ukrainë është i pajustifikueshëm.

“ShBA-të konsiderojnë që ky është një sulm i pajustifikueshëm dhe duhet që të jemi në solidaritet me Ukrainën, populli i Kosovës e dinë çfarë është dhuna. Pra në emër të ShBA-ve dëshiroj të ju falënderoj për mbështetjen tuaj”, tha ai.

Hovenier u shpreh mirënjohës edhe për strehimin e qytetarëve afganë në Kosovë.

“Dëshiroj të falënderoj Qeverinë e Kosovës për strehimin e afganëve, pra bujaria e Kosovës për mbështetjen e atyre që vuajnë, u tha qartë, ShBA-të janë mirënjohëse”, tha ai.

Ambasadori ka folur edhe për vendimmarrjen e grave në shoqëri.

“Kur gratë nuk janë të pranueshme për të ndihmuar në identifikimin dhe marrjen e vendimit, shpesh here ndodhë që nuk zgjidhet problemi. Vendimmarrja gjithëpërfshirëse sjellë vendime më të mira. Sa më shumë gratë nxiten që të jenë pjesëmarrëse demokracia është më e fortë. Kjo javë e gruas paraqet mundësinë që të ri përkushtohemi për barazinë gjinore”, tha ai.

“Pjesëmarrja e barabartë paraqet një tregues për arritjen e vendit. Në media gratë sulmohen shumë më shpejtë për shkak të dukjes së tyre dhe shpesh përballen me gjuhë seksiste. Unë nuk do të marr pjesë në një panel ku ka vetëm burra, ju premtoj që nuk do ta bëjë këtë, më mbani për fjale”, u zotua ambasadori amerikan.

Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) po mban konferencën dy-ditore të dhjetëvjetorit të Javës së Gruas, ku po marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadori i SHBA-së, Jeffrey M. Hovenier, dhe kryetarët e partive politike në vend.