Ambasadorët e SHBA-ve kërkojnë që kriminelët e luftës të dalin para drejtësisë, pavarësisht kombësisë së tyre

Ambasadori i përgjithshëm për Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse H. Tan, dhe ambasadori Philip Kosnett shprehen zotimin e Shteteve të Bashkuara për të sjellë të gjithë kriminelët e luftës para drejtësisë, pavarësisht kombësisë së tyre.

Këto zotime i kanë dhënë gjatë takimit me kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe prokurorët nga Departamenti i Krimeve të Luftës në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), përfshirë edhe shefin Blerim Isufaj.

Ambasadori Kosnett tha se “përgjigja ndaj padrejtësisë është më shumë drejtësi”. Ndërsa ambasadori Tan ka folur lidhur me sfidat shqetësuese me të cilat përballet PSRK në përmbushjen e këtyre çështjeve të rëndësishme.

Kryeprokurori i Shtetit Lumezi i informoi ambasadorët se për derisa zyra e tij kishte ndërmarrë hapa thelbësorë, PSRK trashëgoi më shumë se 900 raste të papërfunduara nga EULEX dhe u deshën më shumë resurse për të lëvizur para.

Ndërsa, Isufaj informoi grupin se mungesa e koordinimit me Serbinë dhe paaftësia për t’iu bashkuar INTERPOL-it dhe grupeve tjera ndërkombëtare, paraqitën pengesë në punën e tyre.

Zyra e Drejtësisë Penale Globale dhe ambasada amerikane u zotuan për mbështetje shtesë për Departamentin e Krimeve të Luftës.