Foto: ZKM

Albin Kurti për Avdullah Hotin: Sillej si ta kishte një kovë me rërë duke e hedhur në rrotat e qeverisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ish-zëvendësi i tij në Qeveri, Avdullah Hoti, po e ngadalësonte qeverisjen e mirë.

Kurti mes tjerash ka shtuar se e ka shkarkuar Hotin, pasi ai ishte i vetmi zyrtar  qeveritar që foli kundër Qeverisë në  seancën e Kuvendit të 25 marsit.

“Është e ërtetë që bënte disa pengesa të vogla, tash për besë kishim punë të tjera dhe coronavirusi ishte pengesa më e madhe. Ai sillej si një person i cili  kishte një kovë me rërë që ta hedhë në rrotat e qeverisjes së mirë. Domethënë që ta ngadalësonte ecjen tonë”, tha Kurti në një interevistë për Euronews Albania.

Sipas Kurtit, Hoti punoi më së shumti t’i bind deputetët për ta rrëzuar Qeverinë.

“Unë isha korrekt me të, bashkëpunoja sa më shumë që mundja, mirëpo pas mocionit të mosbesimit ai ishte personi që punoi më së shumti aktivisht të bind deputetët dhe sidmos fjalimin e tij të cilin e mbajti në Kuvend, ishte i vetmi zyrtar i qeverisë i cili doli kundër qeverisë dhe për mua ishte e pamundur që ta mbaja më në qeveri, andaj edhe e lirova nga detyra”, tha ai.

“Ministra të tjerë të LDK-së nuk e morën fjalën që të flasin kundër qeverisë ku bënin pjesë, ishte i vetmi zëvendëskryeministri i cili mori fjalën dhe filloi që të funksiononte si një centrifugë e sulmeve dhe akuzave të ndryshme, prandaj u desh ta liroj nga detyra”, shtoi Kurti.

Kurse, kandidati i LDK-së për të qenë kryeministër, Avdullah Hoti i është përgjigjur ish-shefit të tij të Qeverisë, Albin Kurti, i cili para disa ditësh e ka quajtur një kryeministër potencialisht të dobët.

Hoti në një konferencë për media pas takimit me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se Albin Kurti e di se çfarë Zëvendëskryeministri ka pasur.

“Ai [Albin Kurti] e di që çfarë zëvendëskryeministri kam qenë, e di se sa i dobët e sa i fortë kam qenë. Por ajo tash është pjesë e historisë”, tha Hoti para gazetarëve.