Albin Kurti: Donika Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas reagimeve ndaj deklaratës së ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Shwarz.

“Është interesante qysh kjo fushatë nuk nisi kur znj. Gërvalla erdhi në listën tonë zgjedhore e as kur u emërua ministre, por tash që u kthye nga vizita e suksesshme në Bruksel. Znj. Gërvalla e mbron dhe e afirmon luftën tonë çlirimtare dhe UÇK-në”, ka shkruar Kurti.

Kurti reagimet i ka cilësuar si fushatë kundër Gërvalles, me tezën se ajo nuk e respekton  UÇK-në.

“Në takimet me ndërkombëtarë, ajo e shpjegon agresionin dhe krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë si pakkush tjetër”, ka shkruar Kurti.

Dje, Donika Gërvalla- Shwarz përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se asnjëherë nuk do të pushoj se kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë.

“Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim”, kishte shkruar Gërvalla.