Alarmi i Auditorit për ndryshimet ‘tinëzare’ të kontratave nëpër komuna

Në katër kontrata të nënshkruara nga Komuna e Podujevës nuk ishin realizuar punimet siç ishin paraparë fillimisht në projektin fillestar.

Auditori ka gjetur se ndryshimet ishin bërë nga menaxherëve të kontratave, por pa miratimin e kryetarit të komunës, ashtu siç parashihet me ligj.

Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigonë Lahu, ka treguar detajet për katër rastet të cilat janë evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2020 në këtë komunë.

“Këto raste përfshijnë zgjerimin dhe rregullimin e lumit “Llap”, është merimetimi i rrugëve me zhavorr, është rregullimi i hyrjeve të banesave si dhe ndërtimi i kalesave në fshatrat Popovë, Sllatinë dhe Pollatë”, ka thënë ajo në një intervistë për KALLXO.com.

“Tek projekti shtrimi dhe rregullimi i lumit Llap, pozicioni në të cilët janë ndryshuar kontratat përfshinë vendosjen e gurëve, ku në kontratë ka qenë e specifikuar një lloj tjetër i gurit ndërsa në realitet është mbushur lloj tjetër i gurit që domosdoshmereshit ka dërguar në ndryshimin e kontratës por fatkeqësisht nuk ka ndodhur aprovimi nga zyrtari kryesor administrativ që do të thotë se këto ndryshime kanë ndodhur vetëm nga menaxherët e kontratave. Kontrata tjetër është rregullimi i korridoreve dhe hyrjeve të banesave, ku edhe këtu kemi pasur ndryshime nga ajo që kanë qenë të specifikuara në fillim të kontratës, ka pasur ndryshime  kryesisht tek profili i dritareve që është dashur të vendosen. Gjithashtu, ndërtimi i kalesave në Popovë, Sllatinë dhe Pollatë, ku është pozicioni prej 7 mijë e 650 euro ku ka pasur edhe këtu ndryshime”, u shpreh Lahu.

Marigonë Lahu, nënkryetare e Komunës së Podujevës

Ajo thotë se menaxherët e kontratave që i kanë miratuar ndryshimet në kundërshtim me ligjin janë thirr në përgjegjësi.

“Me marrjen e raportit të Auditorit, ne fillimisht i kemi identifikuar kush kanë qenë personat përgjegjës për këto kontrata. Pas identifikimit të atyre personave, ne u kemi kërkuar që ta bëjnë një deklaratë të shkruar për arsyet që kanë quar në ndryshimin e këtyre kontratave pa miratim paraprak kështu që edhe pas marrjes së deklaratave ne do vazhdojmë me hapat e tjerë që do të ndërmerren në këtë rast”, deklaroi numri dy i Komunës së Podujevës.

Por, në disa komuna të tjera, ndryshimet në kontrata nuk ndodhin pa miratimin paraprak të zyrtarit kryesor administrativ. Shembull për këtë është Komuna e Prishtinës.

“Ndryshimet janë të rralla, deri tash ka pak por nuk ndodh asnjëherë pa aprovimin e zyrtarit kryesor administrativ sepse me legjislacion është paraprirë në mënyrë të qartë se nuk mund të bëhet ndryshimi i kontratave pa aprovim të kryetarit respektivisht zyrtarit kryesor administrativ. Kemi pas raste të rralla, rastin më të freskët e kemi pas me një ndërtim të një objekti ku është dashur të shtohet një muri mbrojtës dhe jemi bazuar në çmimet mesatare edhe në kontratat tjera dhe është bërë me aprovimin e kryetarit”, ka thënë Zekë Bardhaj, udhëheqës i prokurimit në Komunën e Prishtinës.

Zekë Bardhaj, udhëheqës i prokurimit në Komunën e Prishtinës

Në anën tjetër, Diana Metushi nga KDI thotë se janë disa procedura që duhet të ndiqen para se të bëhet një ndryshim në një kontratë.

“Çdo ndryshim do të duhej të shkonte në të njëjtat pika të aprovimit sikurse kontrata bazë. Ajo çfarë është e dhimbshme në Kosovë, sidomos në investimet kapitale, e shohim që të gjitha kontratat kalojnë nëpër aneks kontrata apo në ndryshime kontraktuale. Është e dhimbshme nëse ne dështojmë që një projekt të vetëm me planifikuar prej A-së deri në Zh, siç duhet të jetë e më pastaj me lindë nevojat për ndryshime, që i bjen se ne po dështojmë në mënyrë të vazhdueshme”, tha ajo.

“Si e tillë, duhet të kaloj në fazën e miratimit prej ekzekutivit apo kërkesës prej njësisë së kërkesës, miratimin e financave për të parë nëse e kemi buxhetin, sepse këto janë investime publike, kanë një buxhet të aprovuar. Ne vazhdimisht dështojmë në aspektin e detyrimeve për shkak të planifikimeve jo të mirëfillta. Andaj, një ndryshim i kontratës, sado që i vogël është, 10 për qind, por ky 10 për qindësh i një milioni është 100 mijë euro që është kategori e meseme, po cka nëse është 5 milionë, atëherë është një kategori e vlerës së madhe”, deklaroi ajo.

Metushi thotë se ndaj menaxherëve të kontratave duhet të merren masa.

Diana Metushi, KDI

“Ndaj këtyre zyrtarëve ish dashtë të merren masa ndëshkuese për  hyrje në detyrime të aprovuara. Ajo cfarë është e dhimbëshme në Kosovë që ne ligjet i shohim vetëm si një, pra unë punoj vetëm me ligj të prokurimit i cili është që rregullon procedurën e prokurimit, por është i ndikuar direkt nga ligji për menaxhimin e finacave publike i cili determinon se kur guxon apo cfarë kërkesa janë në menaxhimin e parasë publike e më pastaj janë edhe ligjet përkatëse, tha ajo.

Edhe nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik kanë thënë se ndryshimet në pozicionet e kontratave mund të bëhen vetëm me aprovim paraprak të kryetarit të komunës.

“Më saktësisht te neni 61, janë disa hapa që autoritetet kontraktuese duhet me i ndjekë nga hapi i parë, që është ndryshimi, menaxheri i kontratës duhet të inicio kërkesën për ndrysim të një pozicioni që ka dal duke e realizuar. Menaxheri i kontratës i propozon zyrës së prokurtimit, zyra e prokutrimit merr aprovime nga ZKA-ja, ZKA është zyrtari kryesor Administrativ, kryetari i komunës, kjo është hallka që duhet të ndjek. Në rastin e kontratave për punë, kërkohet aprovimi pararak edhe i projektuesit, kur ka për punë, kërkohet edhe ai që e ka bërë projektin, kërkohet aprovimi paraprak i tij. Pra, këta janë katër hapat që duhet të ndjeken për me u ndryshua një pozicion ose një kontratë”, tha Osman Vishaj.

Osman Vishaj, KRPP

Në Komunën e Podujevës thonë se më nuk do të ketë ndryshim e pozicioneve të parapara në kontratë në kundërshtim me ligjin.

“Tash e tutje, secili ndryshim që kërkohet, coftë nga banorët apo edhe nga kushtet të cilat dalin në terren, sigurisht që do ta ketë miratimin nga kryetari komunës dhe të gjitha kontratat që do të ndryshohet, do të thotë, do të jenë në dijeni të kryetarit të komunës. Ndryshimi do të bëhet se konsiderohet që është më e mira e mundshme…”, deklaroi Marigonë Lahu.