Fotografi nga bastisja në Vushtrri, Foto: KALLXO.com

Aksioni i policisë në Vushtrri, gjashtë të arrestuar për bixhoz të paligjshëm

Një aksioni i policisë i zhvilluar mbrëmë në Vushtrri ka përfunduar me gjashtë persona të arrestuar për bixhoz të paligjshëm.

Policia ka njoftuar se pas pranimit të informacioneve se në disa lokale në Vushtrri po zhvillohen lojëra të fatit,  ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Policia ka bërë të ditur se ka kontrolluar gjashtë lokale të ndryshme, në të cilët ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit.

Si prova materiale policia ka njoftuar se ka 30 TV, 17 shtëpiza kompjuteri, dy telefona, tre monitorë, disa bilten për baste, tiketa dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.

Të arrestuarit I. M., 60 vjeçar, B. B., 39 vjeçar, G. P., 29 vjeçar, S. S., 34 vjeçar, F. I., 51 vjeçar, dhe V. M., 23 vjeçar, janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se operacioni është zhvilluar në mbështetje të njësiteve policore Prishtinë, Vushtrri si dhe Inspektorati Komunal Vushtrri, të cilët kanë mbyllur të gjitha lokalet e kontrolluara.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë për aksionin e policisë në Vushtrri.

Foto: Policia aksion masiv në Vushtrri

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për mbylljen e bastoreve të cilat po vepronin kundërligjshëm në Kosovë.

Një hulumtim i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, i kryer në disa qytete të Kosovës, ka zbardhur se bastet në vend nuk janë ndalur ndërsa fitimet vetëm janë rritur për bosët dhe figurat politike që u qëndrojnë prapa.

Gjithashtu në shumë emisione të Drejtësia në Kosovë janë transmetuar pamje ekskluzive nga zbulimet e bastoreve ilegale në disa qytete të Kosovës.

.