Aksident në autostradën “Ibrahim Rugova", dy persona dërgohen në Spital

Dy persona janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur më 11.03.2024 rreth orës 14:50 në Autostradën “Ibrahim Rugova” në afërsi të hyrje-daljes për Malishevë.

Rasti është konfirmuar për KALLXO.com nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Policia po dyshon se bëhet fjalë për vetaksident.

Ekipi i hetimeve të aksidenteve të trafikut nga Njësia për Kontroll në Autostradë ka dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar shkaqet e aksidentit.

Sipas Hoxhës, dy personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në Prizren.

Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve, që të jenë vigjilentë gjatë ngasjes, sidomos kur ka reshje atmosferike kur zvogëlohet dukshmëria dhe rrugët bëhen të rrëshqitshme.