AKK i reagon Kurtit: E ke obligim moral dhe institucional të kërkosh falje

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kanë reaguar pas deklaratës së kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili akuzoi kryetarët e komunave për politikë anti-shtetërore.

“Kurti tha që ‘bojkoti që të mos dorëzohen listat, s’është thjesht politikë anti-qeveritare, por është politike anti-shtetërore’.  Kjo qasje për ne nuk është qasje që i duhet vendit tonë as momentumit, aq më tepër qasje që polarizon panevojshëm shoqërinë tonë” – thuhet në reagimin e Asociacionit.

Për këtë, Asociacioni i Komunave ka kërkuar nga ana e Kurtit që të kërkojë falje ndaj tyre.

“Prandaj, kryeministër Kurti e ke obligim moral dhe institucional t’u kërkosh falje kryetarëve të komunave dhe mos të nxitësh edhe situata tjera për të cilat kryetarët nuk kanë asnjë përgjegjësi” – është thënë nga AKK.

Tutje AKK ka rikujtuar që punëdhënës i punëtorëve komunalë është Komuna dhe jo Qeveria kurse Ministria e Financave vetëm proceson pagesat sepse vendimmarrës për buxhetet komunale janë vetë komunat.

“Si mund të bëjnë politikë anti-shtetërore kryetarët e komunave ku secili nga ata ka një veprimtari të begatë në shërbim të atdheut dhe kombit me dekada të tëra e që shumë nga ata edhe luftëtar lirie si dhe familjar dëshmorësh që kanë derdhur gjakun për shtetin e Kosovës” – thuhet në reagim.

Po ashtu, nga AKK është thënë se ata janë duke e kërkuar vetëm ligjshmëri dhe funksionim të ndarë mes niveleve të qeverisjes në Kosovë, në harmoni me Kushtetutën.

“Pra, kryetarët e komunave kanë sakrifikuar shumë për shtetin, duke mos kursyer asgjë. Nuk ka asnjë logjikë që një njeri që ka luftuar për vendin e vet të punojë kundër shtetit” – thuhet në reagim.