AGK i dënon kërcënimet në drejtim të Radiotelevizionit të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër kërcënimet në drejtim të Radiotelevizionit të Kosovës nga persona të panjohur.

Sipas AGK-së, rastin për medie e ka konfirmuar edhe zëdhënësi  i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, me ç’rast ka deklaruar se në lidhje me rastin janë marrë veprimet e nevojshme.

“Menjëherë njësitet kompetente policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme profesionale për të trajtuar informatat e tilla dhe janë duke punuar për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe fakteve që ndërlidhen me këtë raportim”, citohet të ketë thënë Hoxha.

AGK në reagim thotë se kërcënimet janë tërësisht të papranueshme, andaj i ftojmë organet kompetente që sa më parë të merren me këtë rast, në mënyrë që kërcënuesit të dalin para drejtësisë.

“Kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes kanë pasoja serioze në klimën e të bërit gazetari në Kosovë. Andaj, AGK vlerëson se vetëm duke dënuar kërcënuesit do të dëshmohet se këto sjellje janë të papranueshme në një shoqëri demokratike”, përfundon reagimi.