AGK: Ekipi i RTV 21 ndiqet nga një person i armatosur në Leposaviq

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton se ekipi i mediumit RTV 21 është ndjekur nga persona të maskuar në Leposaviq.

Sipas AGK-së, gazetari Venhar Isufi, së bashku me kameramanin, Olti Pacolli, fillimisht janë penguar gjatë kryerjes së detyrave profesionale dhe janë kërcënuar e u është kërkuar të largohen nga vendi i ngjarjes.

“Jemi penguar të filmojmë negociatat të cilat janë bërë nga ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq me zyrtaret e KFOR-it. Ne tentuam të afrohemi për të xhiruar atë se çfarë po ndodhte dhe të njëjtit na kanë kërcënuar duke na thënë të largohemi nga aty dhe të mos i përdorim kamerat. Ndërsa, pas 15 minutave, kemi dalur më poshtë për ta përcjellur ngjarjen dhe pas nesh ka dalur një person i maskuar me armë në bel i cili qëndronte aty”- thuhet në njoftimin e AGK-së

AGK thotë se nga ekipi i RTV 21 ky rast është raportuar edhe në Polici.

“Për AGK-në, siguria e ekipeve të cilat po raportojnë nga veriu i vendit, vazhdon të jetë shqetësuese, ndërsa u bën thirrje PK-së, KFOR-it dhe EULEX-it, që të krijojnë kushte më të mira për ta”- theksohet në reagim.

FGK njofton se ky është rasti i 21-të i sulmeve, kërcënimeve e dëmtimeve të pronës private, të ekipeve të mediave, të cilat kanë raportuar mbi ngjarjet e fundit nga komunat në veri të Kosovës.

Ekipet e gazetarëve të cilët kanë raportuar nga Zveçani dhe Leposaviqi janë përballur me sulme dhe pengesa në raportim.

Dy ditë më parë persona të panjohur kanë thyer dritaren e veturës së ekipit të KALLXO.com i cili po raportonte nga Komuna e Zveçanit. Gazetarja, Shkodrane Dakaj dhe kameramani Afrim Ejupi në momentin e dëmtimit të veturës nuk kanë qenë prezent, të njëjtit kishin raportuar se janë mirë dhe se janë duke vazhduar punën e tyre.

Ndërkaq të hënën, veturat e ekipit të gazetarëve të KALLXO.com dhe RTV Dukagjini janë dëmtuar në mesditë nga persona të panjohur në Leposaviq. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe janë vizatuar simbole nacionaliste serbe.

Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.

Dje, Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.