AGK dhe SHSK ndajnë 15 mijë maska dhe mbi 3 mijë dezinfektues për gazetarë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se së bashku me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës (SHSK) kanë ndarë 15 mijë maska dhe mbi tre mijë e 300 dezinfektues për gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), së bashku me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës (ShSK), nënshkruan sot kontratë bashkëpunimi, me qëllim që t’u ndihmohet gazetarëve në Prishtinë, marrë parasysh se që nga fillimi i pandemisë, Komuna e Prishtinës është ballafaquar me numrin më të lartë të rasteve të infektuar me COVID-19.

Në donacionin e siguruar nga ShSK-ja, bëjnë pjesë 15 mijë maska, 3 mijë dezinfektues, 100ml dhe 300 dezinfektues 1l,” thuhet në njoftim.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina ka vlerësuar këtë ndihmë të veçantë të SHSK-së të cilët sipas saj përballen më problem të shumta, jo vetëm financiare.

Sipas Begollit, mbrojtja e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve, kontribuon jo vetëm në mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe funksionimin e medies, por edhe në informimin e saktë dhe në kohë reale te qytetarët e Republikës së Kosovës.

Teksa, drejtori i ShSK-së, Sami Mazreku, u shpreh i përkushtuar të thellojë bashkëpunimin me AGK-në, me ç’rast theksoi gatishmërinë që AGK së bashku me ShSK-në të organizojnë trajnime vjetore për gazetarët që raportojnë për ekonomi dhe po ashtu t’i shpërblejnë gazetarët përvjetshëm me tri çmimet për storjet më të mira.

Sa i përket procedurës së shpërndarjes, AGK thote se posedon listat e kolegëve që punojnë në terren dhe të cilët janë furnizuar me pako mbrojtëse gjatë donacionit të parë. Për tërheqjen e pakove të reja, të njëjtit do të njoftohen me kohë.

AGK  thotë se do ta vazhdojë angazhimin drejtë sigurimit të donacioneve tjera, në mënyrë që të ndihmohet komuniteti që përfaqësojnë dhe kolegëve të’iu lehtësohet sado pak puna përgjatë pandemisë.