Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

Agjenda e takimeve të Kurtit dhe Vuçiqit me liderët europianë

Takimet e ndara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me liderët europianë në Bruksel pritet të fillojnë nga ora 14:00.

Sipas agjendës i pari që do të hyjë në takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisarin për dialog Miroslkav Lajçak, është kryeministri Albin Kurti.

Ndërsa takimi i presidentit serb, Vuçiq me liderët e lartcekur do të fillojë nga ora 14:30.

Pas përfundimit të këtyre takimeve nuk pritet të ketë një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Dje zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka treguar pritjet e ndërkombëtarëve karshi Kosovës dhe Serbisë.

“Në presim të dy palët Serbia dhe Kosova që menjëherë dhe pa kushte të kthehen të kthen për ti përmbushur obligimet e tyre të dialogut, menjëherë dhe pa kushte fillim të punës në deeskalim dhe punë të vazhdueshme për deeskalim. Pa asnjë kusht rifillim dhe bashkëpunim në dialog. Por nesër nuk do të ketë takim të nivelit të lartë të dialogut, këto janë siç thash, takime individuale” – ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës ka pranuar që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët fundjavën që lamë pas, të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

Më 21 tetor 2023, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbia, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë, qëndruan në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi Lajçak tha se i kanë propozuar një plan Kurtit, mirëpo pa dhënë detaje për përmbajtjen e tij, teksa shtoi se të njëjtin do ta prezantonin edhe para presidentit serb.

Disa ditë më vonë nga BE konfirmuan se blloku evropian ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kurti e Vuçiq në Bruksel, priten takimet e ndara me liderët e BE-së