Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq | Foto: BE

Kurti e Vuçiq në Bruksel, priten takimet e ndara me liderët e BE-së

Ndonëse nuk do të takohen së bashku, agjenda e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq sot në Bruksel do të jetë mjaft e ngjeshur.

Kurti e Vuçiq do të takojnë ndaras kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

I pranishëm në këto takime do të jetë edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Detajet se kur do të fillojnë këto takime ende nuk janë bërë të ditura.

Mirëpo dje zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka treguar pritjet e ndërkombëtarëve karshi Kosovës dhe Serbisë.

“Në presim të dy palët Serbia dhe Kosova që menjëherë dhe pa kushte të kthehen të kthen për ti përmbushur obligimet e tyre të dialogut, menjëherë dhe pa kushte fillim të punës në deeskalim dhe punë të vazhdueshme për deeskalim. Pa asnjë kusht rifillim dhe bashkëpunim në dialog. Por nuk do të ketë takim të nivelit të lartë të dialogut, këto janë siç thash, takime individuale” – ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës ka pranuar që plani i ri, i propozuar nga pesë emisarët fundjavën që lam pas të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, SHBA, Gjermani, Francë dhe Itali.

Më 21 tetor 2023, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë- Serbia, Miroslav Lajçak i shoqëruar nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë, qëndruan në Prishtinë dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas këtij takimi Lajçak tha se i kanë propozuar një plan Kurtit, mirëpo pa dhënë detaje për përmbajtjen e tij, teksa shtoi se të njëjtin do ta prezantonin edhe para presidentit serb.

Disa ditë më vonë nga BE konfirmuan se blloku evropian ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

BE: Nesër nuk do të ketë takim Kurti-Vuçiq