Agjencia për Informim dhe Privatësi gjobiti Komunën e Podujevës, publikuan të dhënat personale të përfituesve të subvencioneve

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shqiptuar gjobë kundërvajtëse ndaj Komunës së Podujevës, për përpunim të kundërligjshëm të të dhënave personale.

Sipas njoftimit, AIP ka pranuar një informacion se në faqen zyrtare të komunës, ka të publikuar për një kohë të gjatë lista me të dhëna personale të përfituesve  të subvencioneve.

“Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), më datë 10.03.2022, ka pranuar informacion se Komuna e Podujevës në faqen zyrtare të saj (internet) ka të publikuara për një kohë të gjatë lista me të dhëna personale të subjekteve të të dhënave (qytetarëve), të cilët kanë fituar subvencione, që përfshijnë periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2022”, thuhet në njoftimin e AIP.

Tutje në njoftim thuhet se pas inspektimeve, AIP ka konstatuar se Komuna e Podujevës ka publikuar lista me të qytetarëve me të dhëna personale si emri,mbiemri, numri personal, numri i telefonit, vendbanimi dhe shumën e përfituar.

“Pas përfundimit të procedurave inspektuese, AIP ka konstatuar se Komuna e Podujevës ka publikuar lista me të dhënat e subjekteve, të cilat lista kanë përmbajtur të dhëna personale si: emri, mbiemri, numri personal, numri i telefonit, vendbanimi dhe shumën e përfituar. Përmes publikimit të këtyre të dhënave, e njëjta ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me nenin 4 dhe 5 të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe me këtë ka kryer kundërvajtje nga neni 92, paragrafi 1 i Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, bën të ditur AIP.

AIP gjithashtu ju ka bërë thirrje të gjithë kontrolluesve si publikë dhe privat, që përpunimin e të dhënave personale ta bëjë në mënyrë të ligjshme, në të kundërtën do të ndërmarrin masat e duhura deri tek shqiptimi i gjobave.