Agim Veliu anulon vendimn e Xhelal Sveçlës, IPK me ud-kryeshef të ri

Ministria e Punëve të Brendshme, ka emëruar që nga dita e sotme Ushtrues të Detyrës së Kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodan.

Kjo pasi që ish- U.D. i Kryeshefit të IPK-së, Exhevit Zuka sipas një vendimi të siguruar nga KALLXO.com , ishte emëruar nga ish-UD i MPB-së, Xhelal Sveçla në mënyrë të kundërligjshme.

Në dokumentin/vendimin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se në pozitën e U.D të Kryeshefit të IPK-së që nga sot do të jetë ish- Drejtori i Departamentit për Planifikim, Bashkëpunim dhe Çështje Ligjore , Kushtrim Hoda.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me emërimin e kundërligjshëm të ish- U.D të Kryeshefit të IPK-së.

Exhevit Zuka ka qenë Udhëheqës i Divizionit Divizionit për Planifikim dhe Çështje Ligjore në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Sipas Ligjit për Inspektoratin Policor të Kosovës, më saktësisht Neni 15, pika 4 thuhet qartë se “në rastet e përfundimit të mandatit, shkarkimit apo suspendimit të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, Ministri menjëherë cakton njërin nga drejtorët e departamenteve të IPK-së, si ushtrues detyre të Kryeshefit Ekzekutiv deri në përzgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së”.

Zuka në këtë rast ishte emëruar jashtëligjshëm pasi që i njëjti nuk është drejtor departamenti por udhëheqës i divizionit, pra një pozitë më poshtë se drejtori.

Emërimi i Zukajt ishte bërë pas shkarkimit nga detyra të Kryeshefes së IPK-së, Miradie Kelmenit.

Në prill të këtij viti KALLXO.com raportoi se ish- ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla kishte shkarkuar nga detyra kryeshefen e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi.

Sveçla përmes një njoftimi në Facebook kishte thënë se ‘’Kelmendi është shkarkuar pas analizave të gjetjeve nga dy raporte: Raporti me rekomandime për Mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për IPK-në, hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe Raporti i Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të vitit 2018. Po ashtu kam marrë parasysh edhe letrën e rekomandimeve nga Avokati i Popullit Nr. 683/2019 lidhur me çështjen “Agron Hasanaj kundër Inspektoratit Policor të Kosovës”.