Trepça

Pa u bërë një muaj shkarkohet drejtori i Minierës në Stan Tërg, emërohet U.D i ri

Një dorëheqje, një emërim, një shkarkim e një emërim tjetër i ri, kanë ndodhur në javët e fundit në Ndërmarrjen Publike “Trepça”, përkatësisht në Minierën e Stan Tërgut.

Në korrik, Behxhet Vinarci kishte ofruar dorëheqjen nga drejtori i minierës për shkak të mos përmbushjes së detyrave, siç ishte shitja e mineraleve që nxirren në thellësinë e tokës.

Pas tij, në krye të minierës së Stan Tërgut ishte ardhur Fatos Begu. Por, i njëjti, pa u bërë një muaj është shkarkuar nga menaxhmenti i “Trepçës”.

Lajmin e konfirmoi vetë Begu për KALLXO.com.

Ai ka thënë se shkarkimi i tij lidhet me mbështetjen që Begu ofroi për Sindikatën e Minatorëve të “Trepçës”.

Minatorët kanë adresuar vazhdimisht ankesa ndaj menaxhmentit të “Trepçës” në javët e fundit. Ata kanë protestuar dhe kanë hyrë në grevë për mos vonesa të pagave.

“Arsyeja e shkarkimit, sipas menaxhmentit, ka qenë mos-realizimi i objektivave. Realizimi i objektivave brenda një muj dite, as një muaj ditë në fakt s’kam qenë” – ka thënë Fatos Begu, ish-drejtor i Minierës në Stan Tërg.

“Si arsye, sepse e dinë të gjithë, që unë i kam përkrah punëtorët në aspektin e qëllimeve të tyre sepse ata kanë kërkuar pagën e tyre e cila është e drejtë elementare. Kjo nuk i ka pëlqyer menaxhmentit, përkrahja e minatorëve, si shkak i saj ka ardhur deri te shkarkimi im” – tha ai.

Tutje, ish-drejtori tha se punëtorët në “Trepçë” përballen me vështirësi të shumta, duke theksuar mungesën esenciale të logjistikës për punë. Ai konfirmoi se kohë më parë, për pesë ditë minatorët nuk kishin punuar fare, duke kërkuar të kryheshin pagat për të cilat kishin punuar.

Në vend të Fatos Begut, në krye të Minierës në Stan Tërg është emëruar Bujar Jashari, si Ushtrues i Detyrës së Drejtorit.

“Po, unë jam emëruar ushtrues detyre deri në përfundimin e procedurave të konkursit, sepse sic e keni parë, konkursi është shpallë” – ka konfirmuar Jashari për KALLXO.com të hënën.

Ai tha se do të aplikoj në konkursin, i cili veçse është shpallur nga menaxhmenti i “Trepçës”

“Po, besoj që do të aplikoj në konkurs, pastaj kush të zgjidhet do të jetë drejtor I ri i minierës” – tha ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në adresë të menaxhmentit të “Trepçës” për të marrë më shumë detaje rreth shkarkimit dhe emërimit të U.D drejtorit të ministres në Stan Tërg, por deri në publikimin e këtij artikulli, ata nuk janë përgjigjur.