Foto nga vendi i ngjarjes, Foto: KALLXO.com

Afër trupit të pajetë të zyrtares policore u gjet edhe një armë (VIDEO)

Policia po vazhdon të qëndrojë në vendin e ngjarjes, ku është gjetur pa shenja jete një zyrtare policore në hapësirat e varrezave të qytetit të Gjilanit.

Shefi i Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Gjilanit, Remzi Azemi, në një konferencë për media tregoi se ende janë duke u mbledhur prova dhe ekzaminime nga vendi i ngjarjes.

Tutje Azemi shtoi se një armë është gjetur afër trupit të pajetë të zyrtares policore ndërsa e njëjta është duke u ekzaminuar.

“Jemi në fazën e parë të hetimeve. Mund të konfirmojmë që afër trupit të viktimës është gjetur një armë. Rasti është duke u trajtuar si vdekje e dyshimtë. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Azemi.

Ai shtoi tutje se zyrtarja policore ka pasur një marrëdhënie të rregullt pune me Policinë e Kosovës ndërsa ka punuar në operativën rajonale.

KALLXO.com raportoi pak minuta më parë se zyrtarja policore ka pasur gradën rreshter.

Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani, tha se për rastin janë njoftuar rreth orës 16:00 dhe ekipet policore me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes ka qëndruar edhe prokurorja e krimeve të rënda Rabije Jakupi.