Administrata Tatimore të Kosovës mbush 20 vjet

 

Administrata Tatimore e Kosovës ATK në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të saj shpalosi sukseset e arritura gjatë këtyre dy dekadave.

Administrata Tatimore e Kosovës është themeluar më 17 janar 2000 nën drejtimin dhe administrimin e UNMIK-ut e cila gradualisht ishte marr nën drejtimin e Institucioneve të Republikës.

Fjalinë hyrëse të këtij eventi e bëri Ilir Murtezaj, drejtor i përgjithshëm i ATK-së i cili foli për sfidat e mëdha që ka kaluar ATK dhe obligimin që ka.

“Në këtë 20 vjetor themelimi jemi ndeshur me sfida të mëdha, por edhe kemi arritur suksese të jashtëzakonshme, të cilat kanë reflektuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve, misioni ynë është që të ngritja e nivelit të përmbushjes vullnetare në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, si dhe ofrimi i shërbimeve profesionale, transparente dhe efektive për tatimpagues”, tha Murtezaj.

Më tutje Murtezaj foli edhe për tatime e mbledhura përgjatë këtyre 20 viteve, si dhe praktikat të cilat janë ndër më të mirat në rajon.

“ATK për këto 20 vite ka mbledhur 4 miliardë e 707 milion euro tatime, dhe 1 miliardë e 797 milion euro kontribute pensionale, si rezultat i rritjes së përmbushjes vullnetare është transformimi i ATK-së në një administratë tatimore të orientuar në shërbime, që është dukshëm në harmoni më praktikat më të pranuara ndërkombëtare”, shtoi Murtezaj.

Në këtë konferencë pjesëmarrës ishte edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i cili përgëzoi këtë institucion dhe ndihmën e misioneve ndërkombëtare për sukseset e arritura.

“ATK është ndërtuar nga zeroja, por sukseset e arritura sot janë shumë të mëdha, duke falënderuar edhe ndihmën e misioneve të huaja që kontribuuan në formimin e këtij institucioni. Ajo që është më e rëndësishme është se ATK-ja është dashur të ndërtoj besimin e qytetarëve për shkak të përvojës së hidhur me shtetin e Serbisë”, u shpreh Thaçi.

Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane tha se rezultatet e ATK-së për këto 20 vite janë mbresëlënëse dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë mes ATK-së dhe OEK-ut.

“Rezultatet e këtyre 20 viteve janë impresive për mbushjen e arkës së vendit, ka ende shumë për tu bërë në luftimin e ekonomisë joformale. Unë si drejtor i OEK-ut do shpreh gatishmëri për partneritet të mëtejmë”, tha Zeka.

Në këtë konferencë pati edhe shumë përfaqësues të ambasadave si dhe familjarë të personave që kishin kontribuar në ndërtimin e këtij institucioni. Kurse për ata që nuk ishin me në mësimin tonë u ndanë disa mirënjohje për familjarët e tyre.