Abdixhiku për programin qeverisës: Është një nga dokumentet më jo-përmbajtësore që kam lexuar ndonjëherë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka bërë kritika mjaft të ashpra drejtuar Qeverisë Kurti, për programin qeverisës gjatë katër viteve të ardhshme.

Abdixhiku tha se programi qeverisës është një nga dokumentet më jo-përmbajtësore e më sipërfaqësore që ka lexuar ndonjëherë. Sipas tij, kjo nuk ishte vetëm për kritikë nga opozita.

“Është një dokument që nuk përmban asnjë masë, matje apo ndonjë numër, nuk përmban as kohë se kur fillon një politikë qeveritare, e kur përfundon. ‘Do të bëjmë politika të mira’, nuk është masë por është një deklaratë, është parullë. Në programin qeverisës parullat vend nuk kanë, ato as nuk maten e as nuk udhëzojnë ato vetëm jepen sa për të mbushur vend”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, janë dy shkaqe apo arsye për këtë definim; se qeveria nuk e ka të qartë se çka do të bëjë tash dhe se ka frikë nga vendosja e synimit dhe qëllimit.

Abdixhiku tutje kritikoi qeverinë për programin në shëndetësi. Ai tha se gjithë fusha e shëndetësisë, që është problemi numër një momentalisht, është e përmbledhur në 344 fjalë, në një faqe program.

“Në këtë një-faqe dokument nuk e jepni shumën e parave që do t’i jepni, si shumë nominale apo relative e BPV-së, pa dallim, asnjë fjalë për spitalet, për vjetërsinë e aparateve, klinikat që do t’i funksionalizoni, e as për premiumet e fondit shëndetësor”, tha Abdixhiku.

Ai tha se po aq e thatë ishte edhe pjesa ekonomike e programit, duke thënë se nuk e tregon se sa do të jetë rritja ekonomike në vend, për katër vitet e ardhshme, sa do të ulet papunësia e sa do të rriten investimet e huaja.

“Pjesa më shqetësuese për mua dhe gjithë LDK-në në këtë program mbetet prezantimi i tri masave puro të majta, apo puro socialiste që në thelb kanë ndërmend të forcojnë madhësinë e shtetit në ekonomi, rritjen e burokracisë, e keqshfrytëzimin e parasë publike për mirëmbajtjen e ndërmarrjeve të destinuara për humbje. Pra, ky program i majtë në skajshmëri që synon ta shtojë rolin e pronës publike në ekonomi, nuk ka kuptuar asgjë për dështimet e 20 vjetëve të fundit”, tha Abdixhiku.

Në fund të fjalës së tij, Abdixhiku foli edhe për premtimin e qeverisë për të ngritur padi ndaj Serbisë, për gjenocid, në luftën e fundit.

Abdixhiku tha se kjo padi e paralajmëruar është obligim i gjeneratës së tanishme, për gjeneratat e shkuara për viktimat e vendit, për historinë e Kosovës.

“Përgatitja për padi kapërcen kapacitetet e një Qeverie; sepse para, një padi e tillë përfaqëson një popull të tërë – të tërë në plotë kuptimin e fjalës. Si e tillë, ajo duhet të përgatitet mirë; aq mirë sa të mos dështojë. Sepse, dështimi më pas është njollë për të ardhmen e përbuzje e pafalshme për viktimat, e gjithë të shkuarën. Prandaj, ju ftoj që të njëjtën të mos e trajtoni për ndonjë poen të përkohshëm politik, por ta trajtoni si obligim të shenjtë për të gjithë”, tha Abdixhiku.