Foto: Kallxo.com

AAK nuk merr pjesë në fjalimin vjetor të Osmanit në Kuvendin e Kosovës

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk po merr pjesë në seancën në të cilën presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po e mban fjalimin vjetor.

Në ulëset e AAK-së në sallën e mbledhjeve të Kuvendit, nuk është parë asnjë anëtar i këtij grupi parlamentar.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me shefin e grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, për të mësuar arsyen e mospjesëmarrjes, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

As grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të jetë pjesë e seancës së organizuar për fjalimin vjetor të presidentes Osmani.

Përmes një komunikate për media, PDK është shprehur se “seanca e sotme është farsë dhe pa përmbajtje duke shtuar se sipas tyre, ky fjalim është spektakël i pushtetit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot po mban fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, sipas obligimit kushtetues, që e detyron presidentin të dalë para deputetëve së paku një herë në vit.