Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A ka shpresë Kosova t’i kthejë 2 milionë eurot e vjedhura?

Në debatin e KALLXO.com sonte po debatohet për aferën e 2 milionë eurove të vjedhura nga Thesari i Shtetit dhe buxhetin e shkurtuar për vitin 2021.

I ftuar në këtë debat zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka folur në lidhje me aferën e vjedhjes së 2 milionë eurove nga Thesari që ka ndodhur javë më parë.

Krasniqi ka thënë se ka shpresë që këto mjete të vjedhura të kthehen, por që sipas tij duhet të kalojnë disa proceudra të drejtësisë.

Ai ka thënë se menjëherë pasi është vërejtur kjo vjedhje, janë njoftuar policia dhe hetuesia.

“Kemi kërkuar që menjëherë, përmes institucioneve që e kanë përgjegjësi që të bëhet e mundshme që këto mjete të bllokohen dhe në momentin e parë këto mjete me iu kthy buxhetit të Kosovës. Ende nuk janë kthyer, është procedurë në sistemin e drejtësisë e cila duhet të përfundojë dhe ajo që dijmë ne është se një pjesë e madhe e këtyre mjeteve, përmes sistemit të drejtësisë,  duhet të kthehen në buxhet”, ka thënë Krasniqi.

 

Ai po ashtu ka thënë zyrtari i Ministrisë së Financave i dyshuar për këtë vjedhje ka pasur përgjegjësi më të madhe ‘se që është dashtë’.

“Ky zyrtar ka punuar në Ministrinë e Financave më duket 8-10 vjet, me një shkëputje që ka qenë. Po ju përkujtoj që sistemi i Thesarit është një sistem i ndërtuar prej USAID-it dhe është një firmë prej Zelandës së Re dhe çdo herë na është thënë se sistemi i sigurisë është maksimal”, ka thënë Krasniqi.

Zëvendësministri tha se në sistemin e financave ka raste që ka ndodhur gjëra të tilla. Sipas tij, kjo që ka ndodhur në Kosovë është një rast i veçantë që i dihet autori dhe dihen përgjegjësit tjerë.

“Brenda Ministrisë së Financave unë mundem me ju siguru që nuk ka pasur asnjë lloj organizimi, as nip e as dajë, por rasti është i izoluar dhe në momentin që është konstatuar, në ato moment e kemi njoftu edhe policinë edhe hetuesinë që me u marr me këtë rast”, tha Krasniqi.

Pjesë e debatit janë edhe Diana Metushi – Krasniqi nga KDI dhe Mexhide Demolli – Nimani nga Lëvizja FOL.