A ka lidhje me Vetëvendosjen komisionerja e posazgjedhur e Agjencisë për Informim dhe Privatësi?

Komisionerja e posazgjedhur e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, ka folur në lidhje me ‘lidhjet’ e saj politike.

Ajo në emisionin ‘Kallxo Pernime’ ka mohuar se ka lidhje me ndonjë parti politike.

“Me përgjegjësi të plotë e them që nuk kam lidhje me asnjë parti politike. Ngase përvoja ime që unë kam bërë gjatë këtyre viteve në sferën ligjore, edhe më ka edukuar përveç që është profesioni im, jam edhe e edukuar që çdo gjë që është e ligjshme duhet të bëhet dhe gjithçka që është e paligjshme duhet t’i thuhet jo”, ka thënë ajo,

Ndërsa e pyetur për burrin e saj, i cili është anëtar i Vetëvendosjes, Sogojeva-Dërmaku ka thënë se kur ka aplikuar për këtë proces Vetëvendosje nuk ka qenë në pushtet.

“Fakti është se qysh në vitin 2019, kur kam aplikuar herën e parë për këtë pozitë, kam dalur e para nga projekti britanez dhe e vetmja e rekomanduar. Pastaj edhe në vitin 2020, në të njëjtin proces kam dalur përsëri e para nga britanezët. Edhe në vitin 2019 edhe në 2020 nuk ka qenë Vetëvendosja në pushtet, kështu që unë konsideroj, duhet edhe opinioni, mua më është dhënë merita”, ka thënë Sogojeva-Dërmaku.

Agjencia për Informim dhe Privatësi për katër vite ka mbetur jofunksionale dhe pa komisioner. Pazaret politike dhe përplasjet në Kuvend kanë bërë që për një kohë të gjatë të mbetet pa komisionerin, për shkak se Ligji e parasheh që funksionalizimi i Agjencisë të nisë pasi të emërohet komisioneri. Kosova, për katër vite nuk ka arritur ta trajtojë asnjë ankesë për shkelje të privatësisë.

Komisioni i përbërë prej Enver Dugollit, Erxhan Galushit, Arbër Rexhajt, Fatmir Humollit, Shqipe Selimi, Mefail Bajqinovcit dhe Slavko Simiqit, këta vendosën të vazhdojnë me procesin dhe e renditën të parin Enver Bujarin për komisioner, të dytën e renditën Krenare Sogojeva-Dërmakun, e të tretin Edon Miftarin.

Në fund Krenare Sogojeva Dërmaku, e cila në proceset e kaluara dy herë ishte vlerësuar si kandidatja më e suksesshme nga Ambasada britanike, ajo në fund pas gjithë kësaj sage, pas katër viteve, u emërua komisionere në këtë Agjenci me 65 vota.

BIRN Kosova ka monitoruar procesin e zgjedhjes së komisionerit për Informim dhe Privatësi për 2 vjet e gjysmë sa ka zgjatur ky proces.