Komisioneri per Privatesi_Rekrutimi_Kuvendi

Si dështoi për të tretën herë radhazi konkursi për emërimin e Komisionerit për Informim dhe Privatësi

Për të tretën herë me radhë ka dështuar votimi i kandidatëve të përzgjedhur nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kuvendi i Kosovës as për të tretën herë radhazi nuk arriti të emëroj Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Në seancën e datës 14 gusht, as pas dy raundesh votimi Kuvendi nuk arriti të emëroj Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Për këtë pozitë fillimisht kishin aplikuar 12 persona por që pastaj pas shqyrtimit të aplikacioneve në garë të ngushtë kishin hyrë 5 persona, tre prej të cilëve i ishin rekomanduar Kuvendit për emërim.

Intervistimi i kandidatëve për këtë pozitë kishte zgjatur dy ditë, ky nga pesë kandidatët të intervistuar komisioni vlerësues kishe përzgjedhur tre prej tyre si kandidatë potencial për emërimin në krye të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Tre kandidatët e rekomanduar nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, ishin Bujar Sadiku, Krenare Sogojeva-Dermaku, Muharrem Mustafa, por që asnjëri nga ta nuk arriti të marrë votat e nevojshme, për të marrë pozitën e Komisionerit.

Anëtar të komisionit nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes ishin deputetet Fatmire Kollçaku – Kryesuese (VV), Ganimete Musliu – Anëtare (PDK), Bekë Berisha – Anëtar (AAK), Ilir Tasholli – Anëtar (LDK) dhe Rasim Demiri – Anëtar (Koalicioni VAKAT).

Ndërsa për ekspertët e britanik nga BDO dy nga kandidatët kishin qenë të emrueshëm.

Për ekspertët britanik kandidatja Krenare Sogojeva-Dërmaku kishte qenë kandidatja me pikët më të larta, e pasuar nga kandidati tjetër Bujar Sadiku, këta dy persona kishin marrë pëlqimin nga Ambasada Britanike si kandidatët më të suksesshëm për emrim në krye të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, prandaj i kishin propozuar Kuvendit të Kosovës që njërin prej tyre ta emëronin si Komisioner.

Vlen të përmendet se për dallim nga herët e tjera kësaj radhe kandidatët për këtë pozitë nuk i janë nënshtruar testit psikometrik.

Kjo është hera e tretë e anulimit të këtij konkursi pasi që fillimisht ky konkurs kishte dështuar edhe herën e parë në maj të vitit të kaluar e më pas edhe në tentativën e dytë në korrik të vitit 2019.

Rreth përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi kishte pasur shumë reagime në publik.

Lidhur me këtë konkurs kishin reaguar edhe disa organizata të shoqërisë civile të cilat në maj të vitit të kaluar i kishin kërkuar komisionit anulimin e konkursit nën dyshimet se disa nga kandidatët që kishin aplikuar kanë lidhje politike,  sipas tyre emërimi i ndonjërit prej tyre do të mund të rrezikonte fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Përpos organizatave të shoqërisë civile edhe Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ambasada Britanike kishin në mbledhjen e sotme dhënë rekomandim për anulimin e këtij procesi.

Por ndonëse herën e parë Ambasada Britanike vetë kishte dhënë rekomandimin për anulimin e këtij procesi me arsyetimin se sipas tyre asnjë nga kandidatët nuk kishte qenë i emrueshëm, për herën e tretë, ekspertët britanik të BDO-së kanë dhënë rekomandimin për emërimin e dy kandidatëve.

Por edhe përkundër rekomandimeve të Ambasadës Britanike, Kuvendi i Kosovës edhe për të tretën herë radhazi ka dështuar në përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Dështimi i konkursit për të tretën herë radhazi bëri që Ambasada Britanike të reagojë dhe të shprehë zhgënjim për dështimin e konkursit.

Madje me këtë rast, Ambasada Britanike ka njoftuar se ekspertët britanik të BDO-së janë tërhequr nga procesi i rekrutimit për këtë pozitë.

Ambasada në reagim kishte thënë se nuk do t’i çojnë poshtë paratë e tatimpaguesve britanikë në proceset e përsëritura që ishin transparente dhe të zhvilluara me rregull, dhe që nxorën kandidatë që i plotësojnë kushtet për emërim.

“Mos emërimi i asnjërit prej tyre vë në dyshim zotimin e deklaruar të partive politike për të zbatuar Memorandumin e Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike, por ç ‘është më e rëndësishmja, dërgon sinjal negativ për profesionistët e pavarur në Kosovë dhe shpresat e tyre për të kontribuar në Institucionet e Kosovës. Çdo emërim publik do të duhej të marr parasysh vetëm interesat e vendit dhe të qytetarëve të tij, dhe jo interesin e ngushtë partiak”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ky proces i rekrutimit në të tri herët është zhvilluar nën mbështetjen e Ambasadës Britanike si dhe nën monitorimin e organizatës BIRN si dhe disa organizatave të tjera.

Kuvendi i Kosovës edhe në të kaluarën në disa raste nuk i ka votuar kandidatët që nga britanikët janë vlerësuar si të emërueshëm. Shembull, për dy pozita në bordin e ZRrE-së, Qeveria ia kishte propozuar Kuvendit katër emra. Nga katër emrat e propozuar, BDO-ja kishte vlerësuar se vetëm dy prej tyre i plotësonin kushtet për emërim. Por, deputetet e Kuvendit të Kosovës i kishin zgjedhur në bordin e ZRrE-së dy kandidatët që nuk i plotësonin kushtet sipas BDO-së.

Njëjtë ka qenë edhe me rastin e emërimit të drejtorit të Agjencisë së Pronës. Deputetet e kishin zgjedhur Naser Shalën, i njohur me nofkën “Ftyra”. Zgjedhja e tij kishte shkaktuar reagime të BE-së dhe Ambasadave tjera të vendosura në Kosovë.