Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A është diskutuar për Asociacionin në Bruksel, deklarohen nga Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se sot me ndërmjetësim të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni, ka  zhvilluar takimin e radhës me delegacionin serb.

Në komunikatën e ZKM-së bëhet e ditur se janë diskutuar dy tema, por që nuk ka pasur përafrim të qëndrimeve.

Sipas njoftimit, temë e diskutimit ishin pensionet dhe kadastri. Ndërkaq KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës, nëse në këtë takim është diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kurse, Antigona Baxhaku-Idrizi, këshilltare politike dhe drejtore e Zyrës për Komunikim me Publikun në Qeveri, ka thënë për KALLXO.com se në takimin e sotëm është biseduar për ato tema për të cilat kanë përcjellë komunikatën.

“Në takimin e sotëm është biseduar për ato tema për të cilat ju kemi përcjellë komunikatën. Kur të kemi konfirmim për takimin e radhës do t’i njoftojmë me kohë mediat dhe opinionin”, thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Pas disa javësh janë rikthyer takimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Nga Brukseli ka pasur deklarime se takimet ishin pezulluar për shkak të gjendjes me pandeminë, megjithëse është raportuar se arsye kryesore ka qenë tema e Asociacionit, për të cilën pala serbe ka kërkuar që të diskutohet në këto takime.