Foto: PDK

60 profesionistë aderojnë në PDK në Prizren

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se degës së saj në Prizren mbrëmë i janë bashkuar dhjetëra profesionistë nga mjekësia, sporti, arkitektura, biznesi dhe të rinj e të reja.

Kapiteni Klubit të Basketbollit Bashkimi Qëndrim Biraj; trajneri i basketbollit Edon Godeni, profesoresha Dardane Bojaxhiu, profesori Bujar Spahiu, mjekët Tyran Kosova, Artan Elshani e Halil Xhibexhiu; arkitekti Liridon Krasniqi, magjistri i IT -së Ermal Ahmetaj dhe shumë biznesmenë, gjeodetë, tifozë të “Arpagjikëve” e të rinj të tjerë janë bërë pjesë e PDK-së në Prizren.

Pjesë e këtij aktiviteti ku u bënë edhe aderimet e reja mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai tha se këto aderime në PDK janë dëshmia më e mirë se kjo parti është në rrugën e mirë të ndryshimit dhe tashmë po merr edhe më shumë besimin e qytetarëve për ta drejtuar vendin.

“Jam shumë krenar, që sot, 60 profesionistë të sferave të ndryshme po i bashkoheni Partisë Demokratike të Kosovës. Kështu, ju na ndihmoni ne, i ndihmoni Prizrenit, i ndihmoni Kosovës.”, ka thënë kryetari Veseli.

“Prizreni është qendra kulturore dhe historike e vendit tonë. Prandaj, aderimi i juaj sonte këtu është i një rëndësie të vecantë sepse vetëm kështu, me ju, si profesionistë të dëshmuar, do ta ndryshojmë Prizrenin dhe Kosovën në të njëjtën kohë. Kemi shumë punë për të bërë së bashku dhe ju falënderoj secilin prej jush për besimin dhe angazhimin tuaj”, ka thënë kryetari Veseli.

Kryetari Veseli u bëri thirrje të gjithë të aderuarve që të mos kursejnë asgjë për ndërtimin e Prizrenit dhe Kosovës sepse tani është koha kur më së shumti vendi ka nevojë për punë.

Kryetari i Degës së PDK-së në Prizren dhe nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, tha se aderimi i këtyre profesionistëve është dëshmia më e mirë që PDK-ja është motori i zhvillimeve pozitive në vend.

“Këta profesionistë të lëmive të ndryshme, po e begatojnë dhe fuqizojnë edhe ofertën tonë, por edhe po i japin profesionalizmin që ka nevojë ndryshimi i madh në Prizren”, ka thënë Totaj.

PDK njofton se vetëm gjatë muajit tetor në nivel vendi i janë shtuar qindra të rinj, profesionistë dhe persona të dëshmuar në sfera të ndryshme.

“Aderimet në PDK-në e Prizrenit, por edhe në komunat tjera, do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim”, përfundon njoftimi i PDK-së.