Foto: Denis Sllovinja
Mbaron studimi i fizibilitetit për ndërtimin e teleferikut në Kalanë e Prizrenit
Studimi i fizibilitetit dhe ai gjeoteknik për ndërtimin e strukturës dhe të teleferikut për ngjitje në Kalanë e Prizrenit kanë mbërritur në adresë të Komunës së Prizrenit.
Kryetari i kësaj Komune, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se hapi i radhës do të jetë hartimi i projektit të detajuar dhe ndjekja e proceseve ligjore për ndërtimin e teleferikut, që ai thotë se do të jetë një tjetër element atraktiv për turistët e huaj dhe ata vendës.
“Realizimi i këtij projekti rrjedh nga marrëveshja tri palëshe mes Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe “Swisscontact”-it” – ka shkruar Totaj në Facebook.
Kjo marrëveshje ishte nënshkruar më 10.01.2023.
Kontrata e nënshkruar për studimin e fizibilitetit ishte në vlerë prej 14 mijë e 475 euro.
Për ndërtimin e këtij teleferiku ishte hapur tender në prill të vitit 2017, por i njëjti ishte anuluar në qershor të 2018-tës.
Tenderi ishte anuluar me ndërhyrjen e kryetarit të atëhershëm Mytaher Haskuka për shkak se sipas tij ky projekt ishte në kundërshtim me tri ligje, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.
Kalaja e Prizrenit është një ndër vendet më të vizituara nga turistët në Kosovë.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me nismën për ndërtimin e këtij teleferiku mund t’i gjeni në këtë VEGËZ.