Tërmeti në Turqi, Foto: FSK

36 pjesëtarët e FSK-së që u dërguan në Turqi kanë sigurim shëndetësor

Në ditën kur dy tërmete të fuqishme goditën Turqinë, të cilat shkaktuan shkatërrime të mëdha në qytete turke por edhe në Siri, nga Kosova drejt Turqisë u nis një kontingjent i pjesëtarëve të kërkim-shpëtimit i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas përgjigjes së Ministrisë së Mbrojtjes për KALLXO.com, kontingjenti i FSK-së i dërguar në operacion humanitar përbëhet nga 36 ushtarë, prej tyre 4 janë personel mjekësor dhe njësiti K9 (prej tre qensh).

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, kjo njësi e kërkim-shpëtimit e FSK-së do të qëndrojë në mision deri kur autoritetet  zyrtare të Turqisë do të vlerësojnë se më nuk kanë nevojë për ekipet nga jashtë.

Nga Ministria kanë thënë se janë të gatshëm të dërgojnë kapacitete shtesë reaguese në rast se do të ketë ndonjë kërkesë të tillë nga autoritetet e Turqisë, kërkesë e cila deri më tani nuk ka ardhur.

Sipas përgjigjeve të Ministrisë së Mbrojtjes, që udhëhiqet nga Armend Mehaj, të gjithë trupat e njësisë së FSK-së që janë në këtë mision kanë sigurim shëndetësor.

Sa i përket buxhetit për mbulimin e shpenzimeve për sigurim shëndetësor në këtë mision dhe të tjerët që janë jashtë vendit, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se është në harmoni me planin e  udhëtimeve, operacioneve, shkollimeve dhe trajnimeve të planifikuara jashtë vendit.

Mbulimi i shpenzimeve që bëhen në misione jashtë Kosovës rregullohet në bazë të Ligjit për dërgimin e FSK-së jashtë vendit.

Paragrafi i dytë i nenit 16 që flet për rregullimin dhe procedurat për financimin thotë se personeli i FSK-së do të ketë të siguruar transportin, pajisjet e nevojshme për operacion dhe stërvitje, sigurimin shëndetësor, sigurimin jetësor, pagat, pagesat shtesë, ushqimin dhe akomodimin.

Ndërsa paragrafi i tretë thotë se mbulimi i shpenzimeve të operacioneve ndërkombëtare dhe aktiviteteve të tjera ushtarake të parapara me këtë Ligj, mund të bëhet edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe nga shtetet veç e veç, mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare qeveritare apo marrëveshjeve ndërkombëtare ndërinstitucionale.

Në njoftimet që janë bërë deri më tani nga autoritetet zyrtare është thënë se ushtarët e Kosovës kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat një fëmijë 2-vjeçar, pak orë më vonë, pas përpjekjeve të shumta, është nxjerrë edhe nëna e fëmijës.

Lidhur me punën e tyre në Turqi, sot për Radion Evropa e Lirë komandant i kontingjentit të FSK-së, Egzon Syla, ka treguar përvojën e shpëtimit të vajzës 2-vjeçare në Hatay të Turqisë.

“Kemi arritur të identifikojmë zëra, të cilët kanë ardhur nga thellësia, brenda. Në fillim, nuk ka qenë e qartë se nga po vijnë. Me mjetet tona që i kemi, ne kemi arritur saktë ta identifikojmë vendndodhjen” – është shprehur ai.

“Kur janë afruar [ekipet], fillimisht kanë arritur ta prekin nënën e fëmijës, e ka pasur fëmijën në dorë ashtu siç e kanë zënë gërmadhat. Kemi marrë kërkesë nga nëna që ta shpëtojmë fëmijën. Na tha: ‘Ju lutem, nxirreni vetëm fëmijën, vetëm fëmijën nxirreni’” – shtoi tutje Syla.

Ai tutje tregon se momenti më i lumtur për të gjithë pjesëtarët e shpëtimit ka qenë kur fëmija është nxjerrë i gjallë.

“Nëse nuk gaboj, ndoshta kemi bërë deri në 10 orë kërkim. Siç e keni parë, [fëmija ka qenë] i mbështjellë me uniformë të FSK-së, i ka shikuar pjesëtarët tanë në fytyrë dhe ka filluar të qeshë. Kjo ka qenë diçka e papërshkrueshme” – tregoi tutje Syla, 31-vjeçar.

Në anën tjetër, siç raportoj CNN si pasojëj e tërmetit më shumë se 21,000 njerëz kanë vdekur në Turqi dhe Siri, dhe punonjësit e ekipeve të kërkim-shpëtimit tani po garojnë me kohën për t’i tërhequr të mbijetuarit nga rrënojat e ndërtesave të shembura në kushte të ftohta dimri.

Të paktën 78,124 njerëz janë lënduar në të Turqi dhe Siri, sipas autoriteteve të dy vendeve.

Kontingjenti i FSK-së niset drejt Turqisë